Marigona fiton përballjen e motrave Hajdari
Motrat Marigona e Arlinda Hajdari janë prej lojtareve kryesore të Përfaqësueses së Kosovës në hendboll. Dy lojtaret “dardane” po paraqiten me sukses të plotë edhe në elitën e Danimarkës, njërën prej ligave më të forta në botë.
Të mërkurën në mbrëmje, Marigona e Arlinda u përballen mes vete me skuadrat e tyre.
Skuadra e Marigona Hajdarit, Silkeborg-Voel e mposhti skuadrën e Arlindës, Bjerringbro, me rezultatin 36:33.
Motrat Hajdari shkëlqyen në fushë. Marigona shënoi tri gola nga tri tentime, ndërsa i shtoi edhe dy asistime. Është shquar edhe me organizimin e lojës, si zakonisht.
Arlinda tashmë është prej lojtareve kryesore të Bjerringbro dhe këtë e dëshmoi edhe të mërkurën. I kishte pesë gola nga gjashtë tentime. I kishte edhe tri asistime. Dhe u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes.
Forma e mirë e Marigonës dhe Arlindës, por edhe e reprezentuesve tjera, është me shumë rëndësi para sfidave të ardhshme ndërkombëtare të Kosovës.