Marigona Krasniqi sjell romanin “Zëri i mbytur i gruas”, një rrëfim real i një gruaje, e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës

16 tetor 2018 | 12:01

Pas librit të parë “Trëndafili kërkon shi” që ishte përmbledhje poetike, Marigona Krasniqi nga Drenasi ka sjell para lexuesve romanin “Zëri i mbytur i gruas”.

Ky roman sjell një rrëfim real i një të mbijetuare nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, autorja e këtij romani, Marigona Krasniqi, ka thënë se ky roman ka qenë kërkesë e lexuesve.

“Romani është rrëfim real i një të mbijetuare nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sigurisht nuk ka qenë punë e lehtë. Sidomos pjesa më e vështirë ka qenë menaxhimi emocional gjatë përshkrimit historisë së të mbijetuarës”, ka thënë Krasniqi.

Për këtë roman dhe librin e parë poetik, Marigona nuk ka gjetur mbështetje as komunale dhe as nga institucionet e tjera të nivelit qendror.

Mairgona Krasniqi pos që merret me krijimtari letrare ajo është duke studiuar edhe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. “Ndonëse angazhimet e mia në Fakultetin e Mjekësisë janë të mëdha, shkrimin e kam pasion dhe përderisa më ka dhënë Zoti këtë dhunti unë e ndjej obligim moral që të shkruaj për të mirën e shoqërisë sonë. Si qytetare, si femër unë flas. Nuk jam mësuar të heshtë. Forca ime ndodhet kudo, në fjalë, në roman apo edhe në fizik”, ka thënë Krasniqi.

Marigona ka thënë se do vazhdojë të shkruaj romane. “Do të shkruaj edhe në zhanre tjera të letërsisë. Ndërsa të shkruaj ndonjë libër nga lëmia e mjekësisë është edhe ëndrra ime më e madhe”, është shprehur autorja e romanit “Zëri i mbytur i gruas”, Marigona Krasniqi.

“Epoka e re”: Znj. Krasniqi ju jeni duke studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, nga u inspiruat për të shkruar romane?
Marigona Krasniqi: Fillimisht ju falënderoj për intervistën. Është kënaqësi për mua të ndaj me ju dhe lexuesit tuaj eksperiencat e mia gjatë punimit të romanit. Ndonëse angazhimet e mia në Fakultetin e Mjekësisë janë të mëdha, shkrimin e kam pasion dhe përderisa më ka dhënë Zoti këtë dhunti unë e ndjej obligim moral që të shkruaj për të mirën e shoqërisë sonë. Si qytetare, si femër unë flas. Nuk jam mësuar të heshtë. Forca ime ndodhet kudo, në fjalë, në roman apo edhe në fizik. Sepse të jesh femër nuk është dobësi. Shkrimi i romanit ka qenë kërkesë e lexuesve. Ndoshta jo të shumtë në numër, por lexuesit e shkrimeve të mia janë tejet aktiv, me këshilla, kritika e sugjerime. Dhe kur nxora librin e parë ‘Trëndafili kërkon shi’ që ishte përmbledhje poetike, ata kërkuan që t’u sjell edhe një roman. Gjithashtu më kritikuan përse nuk e kam shtjelluar më tepër temën e luftës së fundit në Kosovë. Kjo pastaj bëri që unë t’i përvishem punës me shumë përkushtim.

“Epoka e re”: Romani “Zëri i mbytur i gruas” është botuar vetëm disa ditë më herët, sa jeni e kënaqur me punën e bërë në të dhe si është pritur?
Marigona Krasniqi: Për shkak të tematikes shumë delikate të romanit unë jam munduar të derdh gjithë energjinë time në të, i kam kushtuar rëndësi të madhe çdo detaji vetëm që t’i afrohet sa më shumë perfeksionizmit. Dhe pas një angazhimi të tillë, të gjatë e serioz, unë jam shumë e kënaqur me përfundimin e këtij projekti. Populli ynë i ka ende plagët e hapura, e plagët e hapura shkaktojnë shumë dhimbje. Dhe njerëzit i ka prekur shumë kjo temë. Për fillim është pritur mjaft mirë. Lexuesit e kanë vlerësuar shumë që një vajzë në moshën time ka marrë guximin të shtjellojë një temë kaq të ndjeshme dhe të vështirë. Ndërsa për suksesin e librit më tutje mbetet të shihet.

“Epoka e re”: Na tregoni pak më shumë për këtë roman, pasi tema e këtij romani prek një ngjarje të vërtetë, sa e keni pasur të vështirë të arrini në përfundimin dhe botimin e këtij romani?
Marigona Krasniqi: Po, romani pra është rrëfim real i një të mbijetuare nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sigurisht nuk ka qenë punë e lehtë. Sidomos pjesa më e vështirë ka qenë menaxhimi emocional gjatë përshkrimit historisë së të mbijetuarës. Unë sikurse çdo njeri tek i cili është ende prezent njerëzorja, përjetoja ngushtim në shpirt dhe pikëllim në zemër tek i imagjinoja femrat e ndershme kosovare të jenë pjesë e një horrori të tillë. Por, mendoj që secila e mbijetuar duhet të flas me dikë, të tregoj historinë e saj të kobshme, e që është veç një hallkë në zinxhirin e gjatë të vuajtjeve të popullit tonë. Dhe secili qytetarë duhet të njoftohet mbi zvetënimin dhe përçudnimin që dikur ju bë atyre femrave. Dhe nisur nga kjo unë i thirrja vetës që të përmbahem mirë emocionalisht sepse pena ime duhej të fliste. Kështu ia dola. Por, përveç kësaj teme, në romanin tim inkorporohen edhe tema të tjera, si p.sh. paragjykimi, dashuria për familje dhe atdhedashuria, sfidat e studentëve gjatë studimeve etj. Në këtë roman u kam dhënë rëndësi edhe bukurive natyrore të Kosovës duke i përshkruar ato me shumë emocion.

“Epoka e re”: A keni pas përkrahje për botimin e këtij romani apo ka qenë vetëfinancim?
Marigona Krasniqi: Ka qenë vetëfinancim edhe ky libër, sikurse libri i parë. Nuk e di për të tjerët por unë për vete nuk kam gjetur mbështetje as komunale dhe as institucionale për financimin e këtyre dy projekteve të mia. Por, më duhet të falënderoj shumë Qendrën Kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, me drejtoreshë Feride Rushiti dhe gjithashtu edhe Sebahate Pacolli-Krasniqi nga kjo qendër, që i kanë dhënë shpirt romanit tim duke më mundësuar që të rrëfej ngjarjen e njërës nga të mbijetuarat së dhunës seksuale.

“Epoka e re”: Sa kohë ju ka marrë deri në botim?
Marigona Krasniqi: Romanin e kam filluar në fillim të muajit shkurt të këtij viti dhe e kam mbaruar në fund të shtatorit. Ndërsa më intensivisht kam punuar me të gjatë pushimeve të verës. Pjesa kryesore e romanit është bërë në muajt e fundit, kryesisht pas intervistës me viktimën. Përjetimet e viktimës jam munduar t’i bashkëjetoj dhe t’i bashkëndjejë dhe rezultat i kësaj kjo pjesë e romanit ka dalë shumë prekëse e që nuk kalohet lehtë pa dhimbje e lot.

“Epoka e re”: Ju jeni duke e studiuar mjekësinë a do të vazhdoni edhe më tutje të shkruani romane të tjera, dhe a ke menduar të shkruani ndonjë libër nga lamia e mjekësisë?
Marigona Krasniqi: Në paçim shëndetin gjithsesi që do vazhdoj të shkruaj romane por do shkruaj edhe në zhanre tjera të letërsisë. Ndërsa të shkruaj ndonjë libër nga lëmia e mjekësisë është edhe ëndrra ime më e madhe. Por, vlerësoj se këtë duhet ta bëj vetëm pasi të arrij grada të larta akademike dhe pasi të jem shumë e kalitur në profesion. Diçka konkrete nuk kam në mendje, por sigurisht që duke parë situatat e reja me të cilat përballemi çdo ditë, lindin edhe idetë e reja për punë të tjera.

“Epoka e re”: Pas këtij romani, çfarë do t’ju sillni lexuesve, ndonjë roman tjetër?
Marigona Krasniqi: Lexuesve do t’u sjelli gjithçka që unë e vlerësoj se është më e mira për ta. Me anë të pendës sime do të përpiqem gjithmonë që të ngreh lartë virtytet e mira të shoqërisë dhe të luftoj dukuritë e dëmshme. Sepse vlerësoj që është më së e nevojshme të shkruajmë sa më shumë për vlerat dhe të mos anashkalojmë edhe temat edukuese, në mënyrë që të mos pësojmë krizë morali si shoqëri. Sigurisht do të ketë edhe romane tjera, poezi, proza, tregime dhe pse jo edhe drama.

(Qendresa RAMA)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Australia do të shqyrtojë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të…