MARINA TOROSSI TEVINI
Marina Torossi Tevini ka lindur në Trieste. Ka diplomuar për letërsi klasike. Nga viti 1982 deri më 2000 ligjëroi në Liceun Klasik “Dante Alighieri”. Në vitin 1991 botoi koleksionin e poezive Gratë pa fytyrë. Në vitin 1993 mori çmimin e parë në konkursin letrar Luani i Mugjës, me tregimin Një grua pa cilësi (botuar në revistën Borgolauro). Në vitin 1994 botoi koleksionin e tregimeve Mashkulli ekologjik (finaliste në Carrara Hallstammer) dhe në vitin 1997 botoi përmbledhjen e poezive Njëbrirëshi. Në vitin 1998 u fut në “Lichtungen”, një botim i Universitetit të Grazit. Në vitin 2000 u përfshi në Poetët bashkëkohorë të Triestes dhe në disa botime të tjera ndër vite. Poezitë e saj janë përkthyer në gjermanisht, kroatisht dhe çekisht. Është anëtare e bordit të disa shoqërive kulturore të Triestes. Ka bashkëpunuar me revistat Arte & Cultura, Antologjia e re, Stilos, Zeta.
NJË BALLKON I VOGËL
Është vetëm një ballkon i vogël
pezull n’blu
larg qytetit
portit
çmendurive të vogla e të mëdha
të njerëzve të pakënaqur.
Është streha ime
nga pas malit
dhe në mbrëmje
kënga e zogjve
e pambarim.
PËR VDEKJEN E NJË VAJZE
Mes shirave e dëshirave
dhe perlave të kristalta
rrjedhë jeta
si lumë i pabesë
me absurditete
dhe tradhti të papritura
asnjë breg
s’është i sigurt
TREGIME TË KEQKUPTIMIT TË ZAKONSHËM
Më shumë se e vërteta
e palogjikshme
e dekompozuar
atë që ju ofroj unë
paraqitet
pak keq
Do të kishit qenë të kënaqur
me shumë më pak
(Përktheu nga italishtja: Leonora Buçinca.
Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)