
Mark Carney fiton garën për të pasuar Justin Trudeau
Mark Carney, ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, është zgjedhur kreu i ri i Partisë Liberale të Kanadasë.
Në një konventë që pa turma duke valëvitur flamujt kanadezë në Otava të dielën, Carney u shpall fitues dhe do të zëvendësojë Justin Trudeau si kryeministër pasi të bëjë betimin, shkruajnë mediat e huaja.
Zgjedhja e tij vjen në kohën kur Kanadaja po përballet me atë që Trudeau e përshkroi si një “krizë ekzistenciale” nga lufta tregtare e SHBA në një fjalim në konventë.
Futja e Mark Carney në politikë ishte përfolur që nga vera, kur Trudeau pranoi se ai ka folur me Carney “për vite me radhë për ta bërë atë të bashkohet me politikën federale”.
Trudeau tha javën e kaluar se nuk ka ndërmend të jetë kryeministër i përkohshëm.
I lindur në Fort Smith, NWT dhe i rritur në Edmonton, Carney fitoi një diplomë universitare në ekonomi nga Universiteti i Harvardit dhe e pasoi atë me diploma master dhe doktoraturë nga Universiteti i Oksfordit.
Katër pretendentë ishin në garë për të zëvendësuar Justin Trudeau për postin e lartë në parti dhe si kryeministër i Kanadasë.
Carney, ish-ministrja e financave Chrystia Freeland, ish-ministrja e kabinetit Karina Gould dhe biznesmeni Frank Bayliss ishin të gjithë në garë për udhëheqjen.
Spekulimet po qarkullojnë në Otava se udhëheqësi i ri mund të zëvendësojë Trudeau si kryeministër brenda disa ditësh dhe më pas brenda disa javësh të thërrasë zgjedhje të parakohshme.