
Mark Carney zotohet ta fitojë luftën tregtare ndaj Trumpit
Mark Carney, i cili ka fituar garën për të pasuar Justin Trudeau si kryetar i Partisë Liberale dhe kryeministër i Kanadasë, është zotuar se do të fitojë luftën tregtare kundër presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij të fitores, 59 vjeçari sulmoi Trumpin, i cili ka vendosur tarifa ndaj Kanadasë dhe tha se dëshiron ta bëjë vendin shtetin e 51-të të ShBA-së.
“Amerikanët nuk duhet të bëjnë asnjë gabim,” tha ai. “Në tregti, si në hokej, Kanadaja do të fitojë. Amerika nuk është Kanada. Kanadaja nuk do të jetë kurrë pjesë e Amerikës në asnjë mënyrë apo formë”.
Carney pritet të betohet si kryeministër në ditët në vijim dhe do të udhëheqë liberalët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat pritet të thirren në javët e ardhshme.
Gara e lidershipit liberal filloi në janar pasi Trudeau dha dorëheqjen pas gati një dekade në detyrë. Ai ishte përballur me presion të brendshëm për t’u dorëzuar për shkak të rënies së popullaritetit.
Carney fitoi në votimin e parë të dielën në mbrëmje, duke marrë 85.9% të votave për të mundur rivalen e tij më të ngushtë, ish-ministren e Financave Chrystia Freeland.