Mark Ellis: Rrjedhja e dokumenteve sekrete nga Haga mund ta rrezikojë punën e gjykatës
“Mendoj se është një krizë e vërtetë” – me këto fjalë e komenton rrjedhjen e pretenduar të dokumenteve nga Prokuroria e Specializuar në Hagë Dr. Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare.
“Ky është frikësim i pastër dhe sulm mbi gjyqin, mbi procesin, mbi gjyqin e drejtë. Nëse jeni në një mjedis, ku grupe ose individë ofrojnë informacione për emrat dhe adresat e dëshmitarëve, atëherë i gjithë procesi, në thelb, kolapson. Nuk mund të funksionojë”, thotë Ellis për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas tij, prokuroria është përgjegjëse për t’iu përmbajtur fuqishëm mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve.
“Kjo duhet të ndalojë. Në të kundërtën, rrezikohet i tërë procesi gjyqësor”, thotë ai.
Prokuroria e Specializuar në Hagë – një institucion i Kosovës, i formuar me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare – heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Mbrojtja e dëshmitarëve është pikërisht një nga arsyet përse selia e Prokurorisë është në Hagë dhe jo në Kosovë.