Mark Gjonaj kërkon nga diaspora të votojë më 6 tetor
Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, ka kërkuar nga komuniteti shqiptar që të marrë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës, duke votuar përmes postës.
“Shpresoj që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e madhe. Është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Diaspora ka rastin të marrë pjesë në zgjedhje, me një afat regjistrimi deri më 10 shtator. Inkurajoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të regjistrohen brenda afatit për të marrë pjesë në një process të besueshëm e demokratik, që do t’i japë formë të ardhmes së Kosovës. Është përgjegjësi e njerëzve tanë ndaj vendlindjes”, ka thënë Gjonaj në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Në këtë intervistë, Gjonaj ka folur edhe për taksën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe, duke theksuar se Beogradi e ka përdorur taksën si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.
“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, është shprehur Gjonaj.