Mark Zuckerberg nën hetim nga autoritetet e konkurrencës, pasi bleu dhe një tjetër platformë elektronike
Mark Zuckerberg njihet nga të gjithë si gjeniu i rrjeteve sociale që krijoi Facebook-un. Pasi arriti të krijonte “perandorinë” e tij në rrjetet sociale, Zuckerberg ka treguar dhe aftësinë e tij mbresëlënëse si sipërmarrës pasi ka negociuar blerjen e platformës më të madhe të mesazheve elektronike “Whatsapp”, si dhe rrjetin social “Instagram”.
Por, blerja e “Giphy” ditën e djeshme duket se ka qenë pika që ka mbushur gotën për rregullatorët anti-trust të konkurrencës së lirë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. “Giphy” është kompania e famshme që ka software-in që krijon “GIF-et” në rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve dhe është blerë nga Zuckerberg për një vlerë prej 400 milion eurosh.
Marrja e kaq shumë aseteve në botën e rrjeteve sociale dhe telekomunikacionit ka ngritur pikëpyetje në lidhje me ligjshmërinë e tyre dhe kërcënimin që i bëhet tregut të lirë në kushtet, kur Zuckerberg ka kontroll direkt apo indirekt në mbi 50% të telekomunikacioneve ditore.
Rregullatori i Konkurrencës në Washington dhe në Londër ka lajmëruar ditën e sotme se ka hapur një hetim zyrtar për të investiguar nëse Zuckerberg po prish balancat e tregut dhe po shkatërron konkurrencën. Sipas ligjeve në fuqi në rast se do të konstatohej shkelje e parimeve të konkurrencës së lirë, shteti mund të urdhërojë shitje të aseteve në sipërmarrës të ndryshëm apo kalimi i kompanive në disa shoqëri aksionere për të rishpërndarë vlerën dhe për të krijuar sërish kushtet e konkurrencës në treg.