Marketet, furrat dhe barnatoret s’do t’i mbyllim
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka kërkuar sërish nga qytetarët të kenë kujdes dhe të qëndrojnë në shtëpi, pas konfirmimit të mbrëmshëm edhe të 15 rasteve të reja me koronavirus në këtë komunë. Begaj nëpërmjet telefonit i është përgjigjur interesimit të Ekonomia Online për gjendjen në këtë komunë, sidomos për gjendjen e familjarëve të infektuar me COVID. “Të gjithë rastet e reja janë familjarë, 15 tani dhe 5 të tjerë janë familjarë mes vete”, tregoi ai. Po ashtu, Begaj deklaroi se deklarata për mbylljen e të gjitha dyqaneve është keqinterpretuar dhe se barnatoret, marketet dhe furrat do të vazhdojnë të punojnë. “Të gjitha veprimtaritë e tjera do të pushojnë, pos marketeve, barnatoreve dhe barnatoreve bujqësore. Deklarata ime është keqinterpretuar”, tha ai. Po ashtu, Begaj njoftoi se në Malishevë janë duke u dërguar donacione të ndryshme.