Marko Jovanovski, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 25-të në Albi Mall Superligë i ka takuar portierit të FC Ferizaj, Marko Jovanovski.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Lulzim Berisha Mensur Simnica dhe Muhamet Sylejmani.
Komisioni vendosi unanimisht që çmimi “Ylli i javës” t’i takojë Jovanovskit, i cili pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen kundër Trepçës’89. Ai me disa pritje fantastike ia mohoi golin skuadrës mitrovicase, duke qenë më i merituari që Ferizaj arriti të arkëtojë pikët e plota në “Riza Lushta” ndaj njërit prej rivalëve në luftën për mbijetesë në elitë.
Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e FC Ferizaj, Marko Jovanovski e ndau Fitore Imeri, financiere në Albi Mall.
Jovanovski u shpreh i lumtur që u vlerësua me këtë çmim për paraqitjen e tij të mirë në këtë javë, derisa çmimin ua dedikojë të gjithë skuadrës.
“Normlisht qëllimi ynë është të qëndrojmë në Albi Mall Superligë. Edhe rezultatet në këtë stinor tregojnë se sa e mirë është atmosfera në klub. Më së vështiri është ta kthesh besimin tek njerëzit, por ne këtë e kemi bërë falë paraqitjeve të mira në këtë stinor. Ne besojmë në arritjen e objektivit tonë dhe me lojërat e mira kemi bërë që të na besojnë e përkrahin të gjithë. Ky çmim është një shpërblim për angazhimin që po e bëjmë jo vetëm unë por e tërë skuadra, prandaj këtë çmim ua dedikoj të gjithë bashkëlojtarëve. Uroj që secili lojtar i FC Ferizaj ta marrë këtë çmim nga një herë dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja në fund të kampionatit t’i gëzohemi të gjithë arritjes së objektivit – qëndrimit në Superligë”, ka thënë Marko Jovanovski