Marku gati për duelin e katërt si profesionist
Florian Marku po bëhet gati për duelin e katërt si profesionist, vetëm pak muaj pasi debutoi në këtë sport. Boksieri shqiptar i ka fituar me nokaut të tri duelet e mëparshme dhe në përballjen e radhës vjen një kundërshtari i një niveli më të lartë.
Ditën e shtunë 26-vjeçari do jetë pjesë e evenimentit të organizuar nga promotori më i njohur anglez, Frank Warren, në “O2 Arena”, Londër. Menaxheri i Markut, Steve Goodwin, ka folur për kundërshtarin e radhës të Markut dhe ka ndarë një premtim që atleti shqiptar i ka bërë për këtë duel.
“Florian Marku do të zhvillojë duelin e katërt të karrierës së tij si profesionist. Do të ndeshet me Tommy Broadbent, një boksier që ka një rekord pozitiv me 8 fitore e 4 humbje. Është një kundërshtar më i vështirë nga tre duelet e mëparshme. Floriani më tha mua t’i gjeja një kundërshtar që do të vinte e ta luftonte dhe jo thjesht për të mbijetuar në ring. Ishte shumë i shqetësuar për këtë, donte një boksier të kalibrit pak më të lartë. Më tha pak ditë më parë, nëse kundërshtari do të vijë me të vërtetë për të fituar, do t’i japë maksimumi dy raunde”, ka thënë Goodwin.
“Tommy është një boksier i mirë dhe do të jetë një test i vërtetë për Florian Markun. Tani ai kërkon të vihet kundër kundërshtarëve të mirë. Dëshiron që të tregojë se është një boksier cilësor. Më ka thënë se nëse nuk ia del të fitojë ndeshjet e radhës, do ta lërë fare boksin”, ka deklaruar ai.