Marku: Josh Taylor nuk mund të përballojë fuqinë time
Boksieri shqiptar Florian Marku (13 fitore, 1 barazim) ka dhënë një intervistë për “Sky Sports Boxing”. Ai është zotuar se do të bëhet njeriu i parë që do të mundë me KO boksierin Josh Taylor (19 fitore, 1 humbje), teksa bën thirrje për një luftë me ish-kampionin e padiskutueshëm në peshën super të lehtë.
Taylor ka humbur vetëm një herë (në duelin e fundit, me vendim unanim) në një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme, që e ka parë atë të bashkojë të katër titujt kryesorë në peshën “welter” dhe të përballet me luftëtarët më të mirë në botë në peshë. Gjithsesi, Marku po këmbëngul për të dueluar me Taylor dhe ka deklaruar se do ta ndalonte skocezin.
“Kështu ndihem dhe e di. Josh është me të vërtetë me përvojë, teknik, por fuqia e tij nuk përputhet me fuqinë time”, ka thënë Marku për “Sky Sports”.
“Fuqia ime do ta dominojë atë. Unë do ta shtyj atë dhe do ta ndaloj. Ai nuk mund të përballojë fuqinë time për 12 raunde apo për 10 raunde. Josh Taylor nuk është mundur kurrë me KO, pasi ai nuk ka qenë kurrë në ring me dikë si unë”, ka deklaruar boksieri shqiptar. “Dëshira ime është shumë më e madhe. Ai nuk ka asgjë më shumë për të provuar. Unë jam duke u ngjitur në mal, ndërsa ai arriti në majë të malit. Unë jam i uritur për të arritur atje. Kur ai të jetë në ring me mua do të shkojë ndjeje forcën time. Kjo është arsyeja pse unë dua këtë lloj lufte të madhe”, u shpreh Florian Marku. Promotori i Markut, Ben Shalom, është në negociata për të organizuar sfidën.
“Ne jemi në bisedime me Top Rank dhe e di që një ofertë i është bërë Josh Taylor. Është një luftë fantastike mes dy personazheve të mëdhenj. Çfarë atmosfere do të ishte në Glasgow”, ka thënë Ben Shalom. Për ta bërë atë të ndodhë, Marku është i gatshëm të bjerë nga pesha e tij dhe të duelojë në një peshë më të ulët.
“Ne mund të bëjmë një peshë tjetër, mund të duelojmë në peshën e tij nëse Josh Taylor nuk dëshiron të provojë veten në peshën “welter”. I besoj vetes 100 për qind”, ka shtuar Marku. “E dua këtë duel për t’i treguar njerëzve se nuk jam vetëm me fjalë. Kur të jem në ring me këta emra të mëdhenj do t’ua lehtësoj punën. Kam besim të plotë tek vetja. Është koha për t’u treguar njerëzve se çfarë mund të bëj në botën e boksit. Në letër, Taylor është favorit, unë jam i dobët, por shpresoj se ai do ta pranojë këtë luftë”, ka pohuar Marku.