Marly Prince, ‘ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “ylli i javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë. Çmimi i më të mirit për javën e tetë i ka takuar portierit të FC Trepça ‘89, Marly Prince.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Muhamet Sylejmani nga KFV Mitrovica, Jeton Shehu nga KFV Besa dhe Vllaznim Visoka nga KFV Llapi.
Komisioni vlerësoi se ‘gardiani’ i portës së KF Trepça ‘89 FC , ishte më i merituari që skuadra e tij realizoi fitore kundër Dukagjinit (3:0), duke e mbajtur portën e tij të pamposhtur. Ai gjatë lojës u tregua shumë i shkathtë në 5 intervenime kyçe, të cilat ndikuan në rrjedhën e lojës.
Çmimi “ylli i javës” Marly Prince iu dorëzua sot, pas kthimit nga vendlindja e tij, ku ishte i grumbulluar me Kombëtaren e Kongos.
Pasi mori çmimin, Prince theksoi se ndihet shumë i vlerësuar, teksa u shpreh se pret shumë nga skuadra e tij në këtë edicion.
“Jam shumë i lumtur të pranoj sot trofeun e më të mirit të xhiros. Si futbollist i Trepçës ‘89, pres që si ekip i mirë dhe i kompletuar që jemi të fitojmë kampionatin dhe pse jo të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve në vitin e ardhshëm. Me këtë rast dua të falënderoj shumë stafin dhe bashkëlojtarët për këtë trofe, sepse pa kontributin e tyre ky çmim do të ishte i pamundur të fitohej”, ka theksuar Marly Prince për faqen zyrtare të FFK-së.