Marmarinos: Duhet të luajmë me krenari, përfaqësojmë Kosovën

11 shkurt 2021 | 18:00

Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë përgatitjet për parakualifikimet e Kupës së Botës 2023. Stërvitjet kanë filluar nga e marta dhe tashmë po zhvillohen dy herë në ditë. Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve.

“Kjo është dita e tretë e stërvitjeve dhe deri më tani po shkojnë shumë mirë. Kemi një ekip të kombinuar mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të ri. Ne jemi duke u përgatitur për të ardhmen dhe njëkohësisht për të tashmen, ku kemi dy ndeshje ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës për faqen zyrtare të FBK-së dhe T7.

“Dardanët” do të luajnë në shtëpi, por pa ndihmën e tifozëve. “I kuptojmë vështirësitë me Covid-19, ku lojtarët ende nuk janë 100 % të formës fizike, por u kam thënë djemve se duam të sjellim energji pozitive, sepse përfaqësojmë shtetin, përfaqësojmë Kosovën. Të luash në Kosovë është shumë mirë, por pa tifozë është e tmerrshme, megjithatë lojtarët duhet të mësohen. Pa mbështetjen e tifozëve është sikur të mungon një element shumë i rëndësishëm në lojën tonë”, ka deklaruar Marmarinos.

Ai foli për ardhjet e reja, Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri. “Ata vijnë nga vende të tjera, nga kategori të tjera. Jemi duke u munduar t’i ndihmojmë dhe të adaptohen në ekipin tonë”, u shpreh Marmarinos, i cili foli edhe për gjendjen e Gëzim Morinës dhe Drilon Hajrizit. “Varet nga rekomandimet e mjekëve nëse do të jenë në gjendje të luajnë. Nëse do të luajnë do të jetë mirë, nëse jo do të mundohemi ta mbulojmë hapësirën e krijuar”, ka deklaruar Marmarinos.

Kosova A më 18 shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.

Në këtë grup Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje. Nëse “dardanët” shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm. Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten…