
Marquez, debutim ëndrrash me Ducatin në Tajlandë
Botërori i Moto GP-së ka nisur zyrtarisht sezonin 2025 me Çmimin e Madh të Tajlandës. Fundjava në Buriram pati epilog të njëjtë për sa i përket treshes së parë, duke nisur që nga kualifikueset, te Sprinti dhe te gara e madhe. Protagonisti absolut ishte Marc Marquez, i cili e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij me Dukatin zyrtar.
Pasi dominoi Sprintin, spanjolli u tregua i jashtëzakonshëm edhe në Çmimin e Madh. I nisur nga “pole position”, Marc Marquez triumfoi pas një sfide emocionuese me vëllain e tij, Aleks. Gara ishte mjaft interesante, teksa Aleks, i ekipit Dukati Gresini, mori kreun dhe komandoi për shumë kohë. Por dy xhiro larg flamurit me kuadrate erdhi parakalimi vendimtar nga gjashtë herë kampioni i borës në klasin mbretëror të motorëve, duke i hapur rrugë fitores në Tajlandë, ndërsa Marc Marquez u klasifikua në vendin e dytë. Një rezultat historik ky për Moto GP-në dhe familjen Marquez, me dy vëllezër që për herë të parë ndajnë podiumin. Vendi i tretë i takoi pilotit tjetër të Dukatit zyrtar, Françesko Banjajas, ndërsa pokerin e markës italiane në Buriran e kompletoi Franko Morbideli e skuadrës VR46. Pas titullit në Moto 2, japonezi Ai Ogura shkëlqeu në daljen e tij të parë në kategorinë më të lartë, teksa japonezi i Aprilias (Trackhouse), u klasifikua në vendin e pestë, duke lënë pas italian Marko Bexeki të Aprilias zyrtare. Garë e mirë edhe për Johan Zarkon, i cili e çoi Hondën (LRC) në pozicionin e shtatë, ku edhe në këtë rast kishim paraqitje më të mirë nga ekipi klient, në krahasim me atë zyrtar.
Top-10 plotësohet sipas radhës nga Bred Binder (KTM) në vend të tetë, Enea Bastiani (Tech3) dhe Fabio Di Xhanantonio (VR46). Provë negative për Pedro Akostën (KTM), i cili rrëshqiti në kthesën e parë të xhiros së tretë. Për sa i përket renditjes në përfundim të eventit të parë, Marquez ka marrë menjëherë rolin e liderit, duke kryesuar me pikë të plota, 37. Më pas, në vend të dytë ndodhet vëllai i tij, Aleks, në kuotën e 29 pikëve, ndërsa Peko Banjaja mbyll treshen e parë, me bilancin e 23 pikëve nga eventi që hapi Botërorin 2025.
Ndalesa e dytë sezonale e kampionatit do të jetë në një tjetër kontinent, teksa më datat 14-16 mars do të mbahet eventi i Argjentinës. Një tjetër etapë që premton rivalitet, sidomos me dyshen e Dukatit, Marquez-Banjaja, pasi pritet me shumë interes kundërpërgjigja e pilotit italian.