Marquez: Do të më pëlqente të kthehesha kampion si Nadali
Marc Marquez mori “ok”-in e mjekëve për të zbritur në pistë këto ditë në testet dimërore të MotoGP që po zhvillohen në pistën e Sepang (Malajazi).
Piloti spanjoll i Hondas nuk ka më probleme me shikimin, që e penguan të marrë pjesë në dy garat e fundit të vitit të kaluar.
“Problemi me syrin tashmë është i rikuperuar 100%, por ajo që më shqetëson më shumë është krahu i operuar. Duhet të bëj një planifikim shumë të detajuar për të bërë të mundur që të kem sa më pak dhimbje dhe të limitoj problemet”, u shpreh Marc Marquez për “Marca”.
Pra, problemet fizike duket se do të jenë sërish një ngërç për kampionin e botës në MotoGP, që mund të mos arrijë nivelet e dëshiruara. “Do të më pëlqente të kthehesha kampion si Nadali, që të triumfoj sërish në fund të sezonit. Ajo që bëri ai më motivon për sezonin e ri”, ka deklaruar Marquez.