Marrëdhënia strategjike Kosovë – Shqipëri
Nga Ilir Kalemaj
Trajektorja e zhvillimeve socio-kulturore-ekonomike dhe natyrisht edhe politike mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë mjaft e ndryshme përgjatë shekullit të 20-të. Së pari kemi dikotominë e projektimit nga jashtë, ku ndërhyrjet ndërkombëtare kanë qenë shpesh përcaktuese inter alia në marrëdhënien Shqipëri-Kosovë dhe projektimit imagjinar apo real të komb-shtetit nga brenda ku shpesh përplasjet e elitave kanë qenë përcaktuese.
Interesante është edhe këndvështrimi nga poshtë, pra se si shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e kanë perceptuar kombin dhe idenë e bashkimit në periudha të ndryshme historike, të cilat janë larg të qënurit monolite. Në monografinë Contested Borders: Territorialization, National Identity and “Imagined Geographies” in Albania, e kam ravijëzuar këtë ndërveprim të aktorëve të jashtëm dhe faktorët e brendshëm (elitë-masa) dhe se si kjo ka prodhuar një narrativë të caktuar në lidhje me kombin dhe se si ka impaktuar perceptimin mbi kufijtë e Shqipërisë. Për shembull, në periudhën 2012-2014, ka pasur presion të fortë ndërkombëtar i cili kulminoi me Traktatin e Ambasadorëve kundër projektimit të një Shqipërie etnike dhe kjo vazhdoi edhe përgjatë LPB ku Shqipëria u kthye në sheshluftimi dhe pre e orekseve territoriale të fqinjëve në vend që të mendonte për ndonjë projekt unifikimi kombëtar.
Kjo vazhdoi edhe përgjatë periudhës së dy luftërave botërore, ku Shqipëria endej mes anarkisë institucionale dhe përpjekjeve foshnjarake për konsolidim të autoritetit shtetëror. Ndërkohë që shqiptarët e Jugosllavisë ndodheshin nën një proces të egër asimilimi kulturor që përkoi me mbylljen e shkollave shqipe apo përpjekjet për të shtypur lëvizjet guerilase për pavarësi ose bashkim me Shqipërinë.
Pavarëisht kësaj, shqiptarë të Kosovës fituan eminencë në politikën e Tiranës, ku shquheshin ndër të tjerë Hasan Prishtina që arriti deri postin e kryeministrit, më vonë Rexhep Mitrovica në një kontekst krejt tjetër, si ai i luftës së dytë botërore etj. Gjithashtu, Noli, Bajram Curri etj ishin shpesh protagonistë dhe mbështetës të fuqishëm të “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, bashkë me Bedri Pejanin etj., ndërkohë që Zogu kishte një marrëdhënie ambivalente me Kosovën, edhe pas ftohjes me Pashiqin dhe jugosllavët. Regjimi komunist të paktën deri në 1948-ën ishte tërësisht në marrëdhënie harmonike me Beogradin dhe madje u bënë përpjekje serioze për bashkangjitje si republike e shtatë Jugosllavisë ose krijimin e një Federate treshe Shqipëri-Jugosllavi-Bullgari e cila mori fund si projekt-ide pasi Tito u prish me Stalinin dhe Hoxha u pozicionua qartazi krah këtij të fundit, linjë që nuk e ndryshoi as kur Krushovi normalizoi marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Kushtetuta e 1974-ës e Titos nga ana tjetër, ishte një formë inxhinerie politike e cila synoi riekuilbrimin e pushtetit federal pas rënies së Rankoviqit dhe politikave të tij diskriminuese vencarisht ndaj shqiptarëve. Kosova, bashkë me Vojvodinën fituan të drejta politike në rank republike (përvec emrit) dhe kjo gjë u shoqërua edhe me hapjen e Universitetit të Prishtinës, rritjes së vetdijes kombëtare shqiptare etj e cila kulminoi me protestat e 1981shit dhe artikulimin deri te kërkesat për “Kosovën republikë” apo “bashkim me Shqipërinë”.
Paradoksalisht Kosova qe e para që hapi debati mbi shkëputjen (seccesionism) në Jugosllavi dhe e fundit që e përmbylli atë pas spastrimit etnik të Milloshevicit dhe ndërhyrjes së NATOs e cila çoi pashmangshëm dhe eventualisht në shpalljen e pavarësisë. Përsa i përket marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Shqipërisë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, duhen theksuar si më poshtë:
1.Në fushën politike bashkëpunimin e plotë, pavarëisht rotacioneve politike në të dyja anët e kufirit duke kulminuar me mbledhjet e përbashkëkta të dy qeverive. Një progres i pastër pavarësisht arritjes ose jo të rezultateve konkrete duke qenë se politika shpesh flet më qartë përmes simbolikës. Gjithashtu në fushën e diplomacisë, pavarësisht se ka më shumë retorikë se sa akte politike, duket që ka përparim të dukshëm. Është theksuar shpesh nevoja për përfaqësi diplomatike të përbashkëta, në mënyrë konstante Shqipëria ka avokuar në institucione ndërkombëtare për pranimin e Kosovës në to apo lobimin që ka bërë ndër vende skeptike për të njohur Kosovën si shtet të mëvetshëm dhe sovran.
2.Fatkeqësisht, pavarësisht intensifikimit të bashkëpunimit politik dhe diplomatik vëmë re një stanjacion në fushën e ndërveprimit ekonomik i cili është rritur përkohësisht vetëm së fundmi, si rezultat indirekt i vendosjes së taksës Serbisë nga qeveria e Kosovës. I vetmi projekt i madh infrastrukturor dhe ekonomik ishte dhe ngelet Rruga e Kombit por përsa i përket nivelit të përgjithshëm të shkembimeve tregtare ngelen ende nën pritshmëri dhe performancë. Nga ana tjetër është shqetësues lufta tregtare mes dy vendeve, barrierat ndaj tregtisë së lirë (si birrës, patates, çimentos etj) dhe rregullat e vendosura vencarisht nga Tirana të cilat pengojnë normalizimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve.
3.Në fushën e edukimit, kulturës dhe sportit vëmë re përgjithësisht një progres mjaft më domethënës. Për shembull, këngëtarët dhe muzikantët nga të dy krahët përformojnë rregullisht sa në Prishtinë dhe në Tiranë dhe qytetet e tjera kryesore në të dy krahët e kufirit, krijojnë trende ndër të rinjtë respektivë, publikojnë albume me bashkëpunime të ndërsjellta etj. Gjithashtu kemi panairet e librit të Prishtinës dhe Tiranës me pjesmarrje të përbashkët kurse në sport, vencarisht futboll kemi dhjetra futbollistë të Kosovës që luajnë në superligën shqiptare, trajnerë të Shqipërisë që stërvisin ekipe të Kosovës etj.
4.Në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ka më pak transparencë dhe informacion publik se deri ku ka shkuar bashkëpunimi përtej vizitave të shpeshta protokollare dhe bashkëpunimit me të njëjtat agjenci partnere etj.
5.Tregu i medias gjithashtu ka hedhur hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm përpara madje qysh në fillim të viteve 2000. Sot kemi Klan Kosova dhe televizione të tjerë kombëtarë të Shqipërisë që ndiqen rregullisht në Kosovë. Kemi gazeta të rëndëisshme kosovare si Ekspres apo edhe Koha Ditore dhe Zëri që lexohen rregullisht online apo citohen nga shtypi në Tiranë e kështu me radhë.
Pavarësisht se cila palë politike ka qenë në pushtet apo opozitë në Shqipëri dhe Kosovë, bashkëpunimi bilateral ka ruajtur një lloj konstante dhe ka qenë përgjithësisht në nivel politik mjaft i mirë. Ndoshta këtu ka ndihmuar fakti që parti/liderë aleatë si çifti Rama/Thaçi apo Haradinaj/Berisha kanë qenë në sintoni me njëri-tjetrin dhe kanë ruajtur hapur kanalet e komunikimit të vazhdueshëm. Nga ana tjetër, Tirana zyrtare e ka përdorur rëndom Kosovën për interesa dhe beteja të brendshme politike. Kjo ka ndodhur qysh në krye të herës sic ka argumentuar ndër të tjerë Paulin Kola te libri i tij Miti i Shqipërisë së Madhe (ang. Myth of Greater Albania).
Por duket se është intensifikuar së fundmi. Është vështirë të thuhet pasi varet nga sistemi politik dhe zgjedhor që do të adoptohet. Gjithashtu nga prezenca e ndërkombëtarëve, roli dhe pesha e tyre specifike. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është demokratizimi i brendshëm i partive politike, ideologjizimi i tyre, kthimi në parti programatike, si dhe mekanizmat për qarkullim elitash. Po aq të rëndësishme janë praktikat më të mira të secilit prej vendeve përsa i përket shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe atyre pronësore etj., nëse do të adoptohen nga shteti i ardhshëm, nësë do të unifikoheshin.
Në rast se adoptohen praktikat më të mira të luftës anti-korrupsion, kundër kapjes së shtetit, luftimit të krimit dhe trafiqeve, mendoj se do të kemi shtet më efikas. Dhe e kundërta, nëse do adoptojmë nepotizmin e shpërhapur nga Kosova apo Kosova modelin tinzar dhe abuzues me fondet publike të PPP-ve për t’i marrë si shembull, atëherë gjërat mund të venë më keq dhe të kemi një shtet më të dobët dhe më pak efikas. Ekonomia në vija të përgjithshme mendoj se do bëhet më konkurruese për shkak se do të eleminoheshin disa nga problematikat aktuale, të tilla si barrierat e panevojshme tarifore dhe jo-tarifore mes dy vendeve, do krijohej një treg më i madh i aftë për të tërhequr investitorë më seriozë etj. Kurrsesi nuk mund të mendohet bashkimi mes dy vendeve si alternativë ndaj BE-së sic la të kuptohej në mënyrë të nxitur dhe aspak diplomatike kryeministri Rama pak kohë më parë. Në një formë shantazhi të butë ndaj Brukselit. Ato mund të jenë komplimentarë, ose bashkimi mund të ndodhë de facto brenda BE-së për shkak të irrelevancës së kufijve por jo përjashtues.
Kufizimet e bredshme mund të përmblidhen në faktin që eliës politike aktuale në të dy anët e kufirit do t’i ngushtoheshin kufijtë dhe rrudheshin hapësirat dhe për këtë arsye, pavarësisht retorikës bujëmadhe në drejtim të aspiratës për bashkim, realisht mendoj se janë pak të interesuar që një gjë e tillë të ndodhë vërtetë. Është natyrisht faktor pengues në përiudhë afatshkurtër por jo detyrimisht i tillë në peirudhë afatgjatë pasi Kosova i ka mundësitë dhe kushtet që në rast njohjeje nga shtete skeptike që janë dhe antarë të NATOs si Rumania, Sllovakia, Spanja apo Greqia të bëhet jo vetëm vend i NATOs por edhe të heqi një faktor realisht pengues sot për sot për bashkimin.
Gjithmonë nëse ky i fundit është i dëshirueshëm dhe i mundshëm. Natyrisht këto janë faktorë pengues por jo ezaurues në kuptimin e fjalës që është e pamundur të tejkalohen. Bashkimi i dy Gjermanive është rasti më ilustrues në lidhje më këtë, por gjithmonë nëse ka konsensus politik mes aktorëve të jashtëm dhe dritë jeshile nga Brukseli. Pra fakti që kjo nuk është një e dhënë e pandryshueshme në kohë por këtu faktorë shtesë pengues është Kina dhe Rusia, dy vende vetuese në Këshillin e Sigurimit dhe që janë absolutisht kundër njohjes së Kosovës shtet i pavarur dhe pranimit në OKB dhe gjasat janë të jenë edhe më fortë kundërshtarë të një unifikimi Shqipëri-Kosovë, të cilën së paku rusët e quajnë projekti i “Shqipërisë së Madhe”. Për shkak të vështirësisë së theksuar më sipër mendoj së duhet kohë për të arritur të antarësimi në OKB, mandej vlen e njëjta gjë si për pranimin në BE. Që bashkimi duhet bërë me konsensus ndërkombëtar i cili do të jetë mjaft i vështirë për t’u arritur për shkak të rregullave të së drejtës ndërkombëtare publike dhe një lloj skepticizmi që ekziston në përgjithësi për krijimin e shteteve të reja dhe njohjen respektive të tyre.
Sikundër kam argumentuar në studimin Albanian-Kosovo relation: Quo Vadis?, publikuar që në 2014-ën, çdolloj projeksioni për unifikim përpara integrimit në BE nuk është realist dhe gati i pamundur për t’u realizuar dhe jo vetëm për shkak të rethanave të jashtme dhe kundërshtisë të aktorëve ndërkombëtarë por edhe për shkak të rezistencës ndaj idesë së elitave drejtuese aktuale në Prishtinë dhe Tiranë pavarëisht retorikës. Kjo për shkak se eventualisht i çon një pjesë të konsiderueshme të tyre drejt humbjes së pushtetit për shkak të ndryshimit të ekuilibrave elektoralë etj. Por faktorët kryesorë janë të jashtëm ku jo vetëm vendet skeptike që kundërshtojnë edhe pavarësinë e Kosovës do ishin kundër por edhe një pjesë e vendeve që e kanë njohur deri tani duke konsideruar faktorë të tyre të brendshëm etj.
Pikërisht një nga problemet apo shtysat që i bën hezitantë jo vetëm kundërshtarët dhe skeptikët e pavarësisë së Kosovës por edhe miqtë dhe aleatët që e kanë njohur atë, ndaj çdolloj ideje ndryshimi kufijsh apo përpjekjesh për krijimin e shteteve të pastra etnike në Ballkanin Perëndimor, është hapja e “kutisë së Pandorës” dhe implikimet që kjo mund të ketë vencarisht në Bosnjë e Herzegovinë dhe Maqedoninë e Veriut por edhe Serbi- me rajonin e Sanxhakut dhe gjetkë. Zhvillimi i marrëdhënies strategjike mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bazohet më tepër mbi pragmatikën se sa simbolikën. Ka shumë fanfarë për takimet mes dy qeverive, për plane hapjesh zyrash konsullore të përbashkëta, por jemi ende larg gjërave bazike si unifikimi i plotë i diplomave, një treg i përbashkët pune, njohja e specialiteteve, krijimi i një tregu të përbashkët, unifikim i plotë doganor, shmangie të luftërave tregtare e me radhë. Mendoj se pikërisht këto duhet të ishin shtyllat e këtij bashkëpunimi nëse Kosova konsiderohet për Tiranën një vend ku kemi interesa strategjike.