Marrëdhëniet me Kosovën dhe zgjedhjet në Mal të Zi, Pavloviq: Do të ketë fushatë të nxehtë për çnjohje, Kurti pati të drejtë
Që nga rënia prej pushteti ekzekutiv në gusht të 2020-ës dhe humbja e zgjedhjeve presidenciale nga Millo Gjukanoviq në Mal të Zi kohëve të fundit, ka “shenja shqetësuese” të një ndryshimi dhe rënie në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ka thënë profesori, historiani dhe hulumtuesi malazez në Universitetin e Albertës në Kanada, Srxha Pavloviq në një intervistë me “Nacionalen”. Se ka ndërruar krejtësisht peizazhi politik atje me ardhjen e formacioneve politike pro-serbe në relacion me Kosovën, ai e ka më se të qartë.
Ndaj këtij ndryshimi ai ka edhe paralajmërimet dhe shqetësimet e tij.
Në lidhje me iniciativën e fundit të Komunës së Zetës në Mal të Zi, ku Fronti Demokratik pro-serb inicoi një deklaratë për tërheqjen e njohjes së Kosovës brenda territorit të asaj komune, profesori Pavoviq ka një shpjegim.
“Kjo mund të duket disi politike dhe një marifet publiciteti i orkestruar nga një nacionalist serb i ndezur e i etur për vëmendje, por ama mesazhi përnjëmend është drithërues. Është testi fillestar i një SAO*-izimi (shkurtesë për Srpska autnomna oblast) të Malit të Zi. Është gjithashtu shenjë e qartë se qeveria e Dritan Abazoviq ose është e pafuqishme ose nuk ka gatishmëri që të shtrijë autoritetin e saj në këtë zonë”, ka thënë ai.
I pyetur se si e ka lexuar deklaratën e presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, se sa i përket mundësisë së tërheqjes së njohje së Kosovës kjo gjë “është jo realiste”, ai ka thënë se ka arsye për të dyshuar në sinqeritetin e tij. Megjithatë, ai ka thënë se kjo gjë mund të vlerësohet më mirë pas konkludimit të zgjedhjeve parlamentare në qershor.
“Mandati i tij në ardhje si president me pushtete disi të kufizuara për të ndikuar në vendime specifike politike do të testohet prej Frontit Demokratik pro-serb të etur për pushtet dhe agresiv. Gjer më tash, presidenti i zgjedhur duket i mirëkuptueshëm dhe dashamirës në çështje që aktorët politikë pro-serbë në Mal të Zi dhe sponsorët e tyre në Beograd i konsiderojnë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, Pavloviq për një gjë është i sigurt – se grupimet e forcave pro-serbe atje do të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar poena politike dhe për t’i brenduar kundërshtarët e tyre si “tradhtarë proverbial të Serbësisë dhe ‘fjalës më të shenjtë serbe: Kosovës’”.
“Duhet të mbajmë mend që jashtë retorikës së mbushur nacionaliste, partitë pro-serbe në Mal të Zi, nuk kanë tjetër bazë tjetër politike mbi ku të qëndrojnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’u ofrojnë votuesve të tyre një dhuratë të mirënjohur: një shportë me fruta të helmuara të klero-nacionalizmit serb. Jashtë këtij peizazhi, parti të këtilla s’kanë as identitet e as rëndësi politike. Duke pasur këtë ndërmend, pres përnjëmend një fushatë të nxehtë”, është shprehur ai.
Gjithashtu në lidhje me shqetësimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka artikuluar rreth zgjedheve presidenciale dhe parlamentare në Mal të Zi, me ardhjen e forcave pro-serbe dhe pro-ruse, Pavloviq e ka të njëjtin mendim. Madje ai deklarimin e Kurtit e sheh edhe si mesazh ndaj forcave progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi.
“Unë e ndaj këtë të njëjtin shqetësim me Albin Kurtin. Deklarimi i tij është gjithashtu paralajmërim për të gjitha forcat politike progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi për të gjetur një terren të përbashkët në mënyrë që të korrin fitore politike dhe të parandalojnë Malin e Zi që të jetë meny proverbiale politike e asaj omnivore*-je të paepur: klero-nacionalizmit serb”, ka deklaruar ai.