Marrëveshja do të ketë shije të hidhët për palën që i nënshtrohet shantazhit

22 dhjetor 2019 | 14:52

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se mund të ketë një marrëveshje LV-LDK për bashkëqeverisje në çastet e fundit.

Ai ka bërë me dije se kjo marrëveshje mund ta këtë shijen e hidhët për palën që do t’i nënshtrohet shantazhit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se zgjedhjet e reja janë alternativa reale nëse nuk ka marrëveshje koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike.

“Alternativë praktikisht nuk ka, vetëm teorikisht mund të ndodhë që të nominohet një mandatar i dytë, që nuk është Albin Kurti. Alternativë reale janë zgjedhjet nëse nuk ka marrëveshje koalicioni. Besoj se marrëveshja do të arrihet por, ndoshta, me shijen e hidhët të imponimit për atë palë që do t’i nënshtrohet shantazhit”, ka thënë Maliqi.

Ai beson se në marrëveshje në mes të këtyre dy partive do të përfshihet edhe çështja e postit të presidentit të ardhshëm.

“Besoj se të paktën për presidentin do të ketë marrëveshje që atë ta propozojë LDK-ja, por që VV-ja ta konfirmojë si propozim të pranueshëm, nëse vlerëson se është personalitet që garanton përfaqësimin e interesave të vendit në përgjithësi dhe nuk është thjesht argat i LDK-së”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, LV-ja dhe LDK-ja fazën finale të negociatave për ndarjen e posteve e kanë kthyer në pazar.

“Bisedimet kanë qenë kombinim i një qasjeje të re dhe më serioze në bërjen e koalicionit, për faktin se grupet e ekspertëve të dy subjekteve fituese të zgjedhjeve e kanë harmonizuar me sukses dhe pa ndonjë ngërç programin e përbashkët qeverisës. Mirëpo, në fazën finale që prezantohej si më e lehtë, ajo për ndarjen e posteve, procesi është kthyer te mënyra e vjetër e pazareve dhe kushtëzimeve joprincipiele”, është shprehur ai, duke shtuar se këto dy subjekte politike kanë mashtruar edhe ndërkombëtarët për marrëveshjen.

“Edhe të huajt janë mashtruar me zotimet se marrëveshja është pothuajse e kryer, se po bisedohet për diçka që mund të zgjidhet shpejt. Por, me rrjedhën e kohës u kuptua se nën sipërfaqen e qetë po ndodh shantazhi, ku asnjëra palë nuk e lëshon udhën”, ka thënë Maliqi.

 

“Epoka e re”: Z. Maliqi, ndonëse është pritur një marrëveshje e shpejtë për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe LDK-së, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Si i keni parë bisedimet e deritashme mes këtyre dy subjekteve politike?
Maliqi: Bisedimet kanë qenë kombinim i një qasjeje të re dhe më serioze në bërjen e koalicionit, për faktin se grupet e ekspertëve të dy subjekteve fituese të zgjedhjeve kanë harmonizuar me sukses dhe pa ndonjë ngërç programin e përbashkët qeverisës. Mirëpo, në fazën finale, që prezantohej si më e lehtë, ajo për ndarjen e posteve, procesi është kthyer te mënyra e vjetër e pazareve dhe kushtëzimeve joprincipiele, që mua edhe pjesën e parë të “harmonizimit” ma bën të diskutueshme, sa e ka qenë ajo në të vërtetë serioze dhe përbashkuese, apo vendimmarrje e tipit që e kemi pasur deri tash kur subjektet i marrin sektorët ministrorë duke i trajtuar si pronë dhe feude të tyre politike, kurse “harmonizimi” reduktohej në logjikën “mos u përzieni në resorët tanë, as ne nuk do të ndërhyjmë në resorët tuaj”. Në këtë qasje edhe kryeministrit shpesh i mbetej vetëm pushteti i menaxhim të tensioneve intersektoriale. Për opinionin ka qenë tepër zhgënjyese kjo që ndarja e posteve u bë faktor bllokues. Mua më duket se kjo është pasojë e “harmonizimit të programeve” sa për sy e faqe, ndërkaq që synimi kryesor kishte mbetur kapja e sa më shumë të pushtetit ekzekutiv. Sigurisht, për çdo koalicion janë me rëndësi mekanizmat e check’s and balance’s si kontrolli i ndërsjellë mes dy subjekteve, krahas check’s and balance’s institucional përmes ndarjes së pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, që nuk duhet të kanë raporte subordinuese. Mua më duket se bisedimet në mes të LV-së dhe LDK-së kanë qenë një garë dinake për dominim që ushqehej nga mosbesimi i ndërsjellë për shkak të raporteve të acaruara nga më herët. Por, ata e tregonin se marrëveshja për qeverisje do të jetë e lehtë, sepse ka qenë ashiqare se verdikti i 6 tetorit praktikisht e mandatonte vetëm koalicionin LV-LDK. Ndërkaq që dy autoritetet kryesore, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, realisht e shtynin deri në ekstrem krijimin e qeverisë për të përfituar nga koncesionet eventuale të ditës së fundit. Kjo sërish e la përshtypjen e një “aksham pazari” të përmbysur. Nëse në vitin 2017 Haradinaj është bërë kryeministër me një “aksham pazar” të ditës së certifikimit, tani marrëveshja po shtyhet deri në vigjilje të ditës së konstituimit të Kuvendit, e proceduralisht do të mund të përbirohet edhe më pas duke mbajtur seancën e Kuvendit me vazhdime, për ta luajtur finalen me “argument” kushtëzues: o do të lëshoni pe për postin e presidentit, o shkojmë në zgjedhje të reja. Kjo është esenca e kontestit, kurse gjithçka tjetër retorikë që maskon shantazhin bazë.

 “Epoka e re”: Kush mendoni se po e pengon arritjen e një marrëveshje të tillë dhe si duhet të dalin nga ky ngërç këto dy subjekte?
Maliqi: Mendoj se po e pengon moskuantifikimi më i saktë i peshës së posteve kyçe, të kryeministrit, të presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit. Kot bisedohet për programin e përbashkët nëse nuk e qartësoni peshën e bartësve të roleve për realizmin e atij programi. Këto është dashur të harmonizohen pothuajse njëkohësisht me programin. Në bisedat është dashur të përcaktohet edhe instanca kyçe koordinuese dhe vendimmarrëse e koalicionit, shembull në atë aks që mua më duket më e logjikshëm si raport kryeministër (LV), zëvendëskryeministër i parë (LDK), që do të ketë kontakte të azhurnuara për çdo pjesë të rëndësishme të realizmit të programit qeverisës. Konkretisht, ky bosht mund të shihet si koordinim në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, sepse mua më duket e logjikshme që në krye të ekzekutivit të jenë në korrelacion të afërt Albini dhe Vjosa si fitues realë të shumicës për qeverisje të përbashkët. Aty edhe mund të vendoset aksi i mirëbesimit dhe koordinimeve, që të mos ketë ngadalësime, pengime ose edhe bllokada në zinxhirët transmetues dhe potencialisht burokratikë të pushtetit. Ka shumë mundësi që të instalohen cheks and balances specifikë në formulën e këtillë të koalicionit. Se si do të koordinohej pastaj Vjosa Osmani me partinë e vet, dhe Albin Kurti me të vetën, këto janë çështje dytësore. Më efektive do të kishte qenë nëse për postet dhe raportet e kontrollueshme do të bisedohej që nga dita e parë e harmonizimit të programit qeverisës, e jo që siç ndodhi kontrolli të projektohet në kapjen e postit të presidentit. Për këtë ka kohë një vit e gjysmë të qeverisjes si koalicion funksional.

“Epoka e re”: Së fundi kemi parë se është shtuar presioni ndërkombëtar për formimin e institucioneve. Sa besoni se do të ndikojë kjo në përshpejtimin e formimit të institucioneve?
Maliqi: Edhe të huajt janë mashtruar me zotimet se marrëveshja është pothuajse e kryer, se po bisedohet për diçka që mund të zgjidhet shpejt. Por, me rrjedhën e kohës u kuptua se nën sipërfaqen e qetë po ndodh shantazhi, ku asnjëra palë nuk e lëshon udhën.

 “Epoka e re”: Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, prisni një marrëveshje mes këtyre dy subjekteve deri më 26 dhjetor kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit? Nëse jo, cila është alternativa?
Maliqi: Alternativë praktikisht nuk ka, vetëm teorikisht mund të ndodhë që të nominohet një mandatar i dytë, që nuk është Albin Kurti. Alternativa reale janë zgjedhjet nëse nuk ka marrëveshje koalicioni. Besoj se marrëveshja do të arrihet por, ndoshta, me shijen e hidhët të imponimit për atë palë që do t’i nënshtrohet shantazhit. Besoj se të paktën për presidentin do të ketë marrëveshje që atë ta propozojë LDK-ja, por që LV-ja ta konfirmojë si propozim të pranueshëm, nëse vlerëson se është personalitet që garanton përfaqësimin e interesave të vendit në përgjithësi e nuk është, thjesht, argat i LDK-së.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratik, Lulzim Basha, ka reaguar pas mbajtjes…