Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, Haziri kërkon dialog të brendshëm
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se përafrimi i qëndrimeve të ShBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet dhe tash duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër.
Haziri ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për këtë sepse ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje që e ka.
“Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”, ka shkruar ai.