Marrëveshja gjermano-gjermane si model për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?
“Marrëveshja që u nënshkrua sot është baza e marrëdhënies së dy shteteve gjermane. Ajo është themeli mbi të cilin do të ndërtohen marrëdhëniet për të mirën e njerëzve”, me këto fjalë sekretari i atëhershëm i Shtetit në Kancelarinë Federale Egon Bahr do të shpallte nënshkrimin e marrëveshjes gjermano-gjermane.
Për politikanin socialdemokrat 21 dhjetori 1972 ishte një datë historike. Ai dhe homologu i tij gjermano-lindor Michael Kohl nënshkruan marrëveshjen bazë gjermano-gjermane.
“Marrëveshja ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe RDGJ-së është një pikë kthese për të dy shtetet gjermane – veçanërisht për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, tha Michael Kohl në atë kohë para shtypit ndërkombëtar”. Ajo mund të sigurojë që të dy shtetet, pa paragjykuar rendet e kundërta politike në të ardhmen të bashkëjetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.
Çfarë përmbante marrëveshja gjermano-gjermane e vitit 1972?
Marrëveshja gjermano-gjermane ishte një preambulë me dhjetë nene dhe shoqërohej nga një sërë dokumentesh kontraktuese.
• Në nenin 1 dakordohej zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta .
• Në nenin 2 të dy shtetet angazhohen të respektojnë parimet e Kombeve të Bashkuara.
• Në nenin 3 palët marrin përsipër të mos përdorin dhunë në rast mosmarrëveshjesh dhe të respektojnë kufijtë e njëri-tjetrit. Megjithatë, “paprekshmëria e kufijve” nuk përjashton ndryshimin e kufijve me marrëveshje të ndërsjellë.
• Neni 4 përcakton se asnjë nga dy shtetet nuk mund të përfaqësojë tjetrin ndërkombëtarisht.
• Në nenin 5 të dy shtetet premtojnë se do të marrin pjesë në procesin e sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropë dhe do të mbështesin përpjekjet për çarmatim.
• Në nenin 6 të dy shtetet bien dakord që të drejtat sovrane të tyre t’i ushtrojnë etëm brenda territorit aktual të respektojnë autonominë dhe pavarësinë e njëri-tjetrit në çështjet e brendshme dhe të jashtme.
• Neni 7 premton marrëveshje bashkëpunimi në një sërë fushash (duke përfshirë ekonominë, shkencën, postën dhe telekomunikacionin, kulturën dhe sportin).
• Në nenin 8 rregullohet shkëmbimi i Përfaqësuesve të Përhershëm.
• Neni 9 thotë se kontrata nuk prek kontratat e mëparshme.
• Neni 10 rregullon ratifikimin dhe hyrjen në fuqi.
Si u prit marrëveshja gjermano-gjermane e vitit 1972 nga palët nënshkruese?
Me këtë dokument RDGJ njohu për herë të parë të drejtat e Katër Fuqive, si dhe e qeverinë e Republikës Federale perëndimore si përfaqësuese legjitime të Berlinit Perëndimor. Ndërsa RFGJ lejoi anëtarësimin e RDGJ-së në OKB:
“Marrëveshja me RFGJ-në përmban njohjen e paprekshmërisë të kufijve dhe njohjen e Republikës Demokratike Gjermane sipas ligjit ndërkombëtar, si një shtet sovran dhe të pavarur”, tha Erich Honecker, kreu i Partisë sunduese socialiste, para Kuvendit Popullor të RDGJ-së.
Deri në vitin 1969, Gjermania vepronte sipas të ashtuquajturës doktrinës Hallstein: Qeveria Federale në Bonn e shihte veten si përfaqësuesen e vetme për të gjithë gjermanët. Kur shtetet e tjera e njohën RDGJ, kjo u pa në Bonn si një akt jomiqësor. Si rezultat, RFGJ ndërpreu asokohe marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë dhe Kubën.
Kjo kthesë, e njohjes së papritur faktike e RDGJ-së nga qeveria social-liberale e Willy Brandtit u shoqërua me konflikte të ashpra në politikën e brendshme: Në maj të atij viti Brandt kishte kaluar me sukses një mocion votëbesimi për këtë çështje, më pas Bavaria e paditi marrëveshjen te Gjykata Kushtetuese, por padia u hodh poshtë në mesin e vitit 1973 – Gjykata kushtetuese nuk pa shkelje të kushtetutës në të. Në shtator 1973 marrëveshja hyri në fuqi.
Çfarë solli marrëveshja gjermano-gjermane në të vërtetë?
Negociatori i atëhershëm gjermano-perëndimor Egon Bahr do të shkruante mbas nënshkrimit në dokumente një shënim: Deri tani nuk kishim marrëdhënie, tani do të kemi marrëdhënie të këqija – ky është progresi”.
Dhe faktikisht marrëdhëniet mes dy vendeve nuk u bënë miqësore. Por marrëveshja afroi njerëzit nga dy anët e kufirit: falë bashkëpunimit kulturor, sportiv e në fusha të tjera, Dhe ky ishte qëllilm i kancelarit të atëhershëm Willy Brandt.
“Marrëveshja bazë e ndryshoi RDGJ-në”, tha sot për Agjencinë Gjermane të Lajmeve, dpa, politikani i së majtës gjermane, Gregor Gysi, një dëshmitar i kohës, asokohe avokat në RDGJ. ”Papritur, në vend nisën të vinin jo vetëm diplomatët e Gjermanisë Perëndimore, por edhe gazetarët. Kronikat nga RDGJ transmetoheshin në Lindje përmes televizionit perëndimor.
21 dhjetori 1972 nuk hyri në histori si ditë feste. Megjithatë, nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë solli një zhvillim të ri në historinë gjermane të pasluftës. E askush nuk e merrte me mend, se as dy dekada më pas RDGJ-së do të shpërbëhej si pasojë e shembjes së Murit të Berlinit në vitin 1989.
Model për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?
Marrëveshja e atëhershme mes dy shteteve gjermane po shërben tani si model për një marrëveshje të mundshme mes Serbisë dhe Kosovës. Propozimi zyrtar i BE-së bazohet në planin franko-gjerman, i cili quhet kështu meqë variantin e tij të parë e prezantuan në shtator në një udhëtim të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd, këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plötner dhe këshilltari i presidentit francez, Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne.
Deri tani plani evropian po mbahet ende konfidencial. Media evropiane dhe lokale megjithatë ka publikuar disa variante të këtij plani, dhe ngjashmëria me planin gjermano-gjerman është evidente.
Edhe aty flitet për raporte të mira fqinjësore dhe me të drejta të barabarta, thuhet se palët duhet të respektojnë të drejtat sovrane, të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, sikurse në marrëveshjen gjermano-gjermane flitet për zgjidhje të mosmarrëveshjeve “me mjete paqësore dhe pa kanosje për përdorim dhune” Edhe aty flitet “që palët të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ose të mos veprojnë në emër të njëra-tjetrës në sferën ndërkombëtare”, për këmbim përfaqësish etj.
Engjellushe Morina nga Këshilli Evropian për Çështje të Jashtme, ECFR, tha se ky është një plan shumë i rëndësishëm dhe duhet të merret seriozisht nga të dyja palët. “Ka elemente që çojnë deri te një marrëveshje finale. Fakti që kërkohet njohje reciproke e dokumenteve, respektim i juridiksionit, respektim i simboleve shtetërore, kërkohet trajtim në nivel të barabartë e shumë elemente të tjera, do të thotë se Serbia e njeh si realitet pavarësinë e Kosovës”.
Ndryshe nga Plani gjermano-gjerman, plani franko gjerman ka një përparësi, sepse aty flitet në mënyrë eksplicite për anëtarësim të dy vendeve në BE, dhe ky është një motiv i mirë për bashkëpunim mes dy palëve, thotë Morina. Serbisë kësisoj i çelet rruga për të përmbyllur kapitullin e 35 të negociatave me BE, ku kërkohen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, ndërsa për Kosovën, kjo nënkupton një kornizë për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, çka hap rrugë që kërkesa e saj për kandidate të BE-së të marrë një përgjigje pozitive”, i tha Morina DW.
Marrëveshje festive, apo diplomaci vizitore?
Takimet e deritanishme mes Kurtit dhe Vuciçit, të ndërmjetësuara si nga Lajçak në Bruksel, ashtu edhe nga kancelari Scholz në Berlin, apo presidenti Macron në Paris, nuk kanë sjellë ndonjë afrim mes Kosovës dhe Serbisë në këtë çështje. Përkundrazi, konfliktet kanë ardhur duke u thelluar si në retorikë ashtu edhe në vepra.
Në këto kushte lind pyetja se a është e mundur të arrihet një kompromis kur liderët e vendeve janë kaq të armiqësuar me njëri-tjetrin, shtron pyetjen Beqë Cufaj, ish – ambasador i Kosovës në Berlin. Cufaj kujton arritjen e marrëveshjes gjermano-gjermane në vitin 1972, në nivel sekretarësh shteti, e jo me liderë, shtrëngime duarsh e zhurmë të madhe. Një gjë të tillë ai përfytyron edhe për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo do të arrihet: Nuk besoj se do të jetë një takim i përbashkët i krerëve të shteteve me shtrëngim duarsh në mënyrë festive, por do të ketë një “diplomaci shuttle”, thotë Cufaj dhe sqaron: “Në këto muaj do të ketë shumë udhëtime diplomatësh të rangut të lartë nga Uashingtoni, Brukseli, Parisi dhe Berlini për të bindur palët të nënshkruajnë marrëveshjen që në fund të fundit do të jetë në të mirë të njerëzve”, tha ai për DW.