Marrëveshja Izrael -Emirate pika e kthesës së madhe
Shkruan: Anisa Bahiti
Në vitin 1948 kur David Ben Gurioni, kryeministri i parë izraelit, do krijonte shtetin e parë të hebrenjve në botë, që prej golgotës së fundit romake të para 2000 viteve, i rrethuar prej arabëve që stërbetoheshin se do ta zhduknin Izraelin dhe britanikëve që nuk do ta lejonin atë, askush nuk mendonte se pikërisht 72 vjet më vonë do të ishte një prej vendeve më të vogla arabe Emiratet, në 1948 krejt i parëndesishëm por që do t’i jepte dhe njohjen më të madhe Izraelit nga ajo kohë.
Historia e njohjeve të arabëve ndaj Izraelit është më e kahershme. Ajo i kushtoi me kokë ish-presidentit egjiptian Anwar Al Sadat, pasi u kthye nga vizita në Knesset (parlamentin izraelit).
Edhe mbretit të Marokut Hasani i dytë që për pak humbi jetën në fund të viteve 70-ta, kur njohu Izraelin. Më vonë marrëveshja e madhe e paqes mes Jordanisë dhe Izraelit e Palestinës së Arafatit i kushtoi me
jetë Jitzhak Rabinit kryeministrit izraelit në 1994. Gjithnjë nga pas ka qëndruar Arabia Saudite që ka sponsorizuar financiarisht jo vetëm shtetet e tjera arabe të cilat nuk duhet ta njihnin Izraelin, por përkundrazi ta luftonin atë. Kjo shkaktoi lufëtrat e 1967 dhe të 1973 të dyja të fituara nga Izraeli. Sa më shumë rriten numri i refugjatëve palestinezë në vendet fqinje, Jordani, Siri, Liban dhe Egjipt aq më shumë rriteshin dhe organizatat e financuara nga Arabia Saudite që të luftonin Izraelin.
Kështu ka ndodhur me intifadën e parë, por sidomos me të dytën, e cila krijoi dhe lëvizjen fetaro-politike Hamass, me liderin e saj Hoxhën Ahmed Jassin. Nga njëra anë kishin lëvizjen Ikuhane (vëllazerinë myslimane) të themeluar nga Hassan Al Bana që inkurajonte ideologjikisht këto lëvizje, nga ana tjetër Arabine Saudite që i mbështeste financiarisht. Në ate kohë të njëjtën gjë bënte edhe Libia e Gadafit që nuk ekziston më sot. Por revolucioni i 1979 në Iran që ndodhi pak a shumë në të njëjtën kohë me luftën civile në Liban i ndryshoi gjërat në tavolinë.
Irani i Shah Pavlavit që ishte dhe aleati kryesor i Izraeli në botën islame, papritur u kthye në armikun kryesor. Irani duke përkrahur Lëvizjen shiite Amal në Liban e më vonë edhe krijimin e Hezbullahut në Liban, bëri të mundur që në veri të Izraelit të krijohej një Iran i vogël dhe shumë shqetësues për Izraelin. Së bashku me Sirinë e madhe dhe të fortë e bënte Libanin pikë strategjike. Izraeli që e nënvlerësonte Libanin dhe Hezbullahun e kuptoi në konfliktin e vitit 2006 që kërcënimi real që mund të vinte prej andej ishte akoma më i madh. Situata u bë më problematike kur filloi pranvera arabe.
Vëllazëria myslimane mori pushtetin në Egjipt dhe në kufinjtë historikë të sigurt të Izraelit si Jordania, Siria dhe Egjipti rrezikohej jo vetëm kaosi por edhe ardhja në pushtet e regjimeve që do të donin shkatërrimin total të Izraelit. Po të llogarisësh që nga bregu perëndimor ku jetojnë arabët deri në detin mesdhe ku është Izraeli, është vetëm 9 km dhe ky problem bëhet akoma më shqetësues.
Ndaj Izraeli e pa me kënaqësi shumë të madhe ardhjen e ushtarakëve në pushtet në Egjipt, të mbështetur edhe nga Arabia Saudite, të cilët rrëzuan vëllazërinë myslimane, aleatët e Erdoganit dhe të Katarit, të cilët shiheshin me simpati edhe nga Irani. Pikërisht në krijimin e një aleance të mundshme anti Iran, Izraeli pa edhe pikën e vet më të fortë. Nga njëra anë ndryshimi i pushtetit të brendshëm në Saudi dhe vendosja e tij në duart e një princi, sa ambicioz aq edhe pragmatist, nga ana tjetër interesat energjitike prej Gjirit persik deri në Mesdhe.
Por Arabia Saudite nuk mund ta bënte vetë këtë njohje të Izraelit pasi rrezikon rrëzimin e pushtetit të brendshëm nga krahu klerikal dhe nga armiqtë e shumtë të brendshëm brenda oborrit. Arabia Saudite dhe Izraeli zgjodhën ta hedhin hapin drejt njohjes në fillim nëpërmjet Aleatit të Emirateve Arabe, i cili ndonëse një shtet shumë i vogël është edhe shumë i fuqishëm sepse mbahet në këmbë nga paratë saudite dhe nga investimet e jashtme hebraike kryesisht nga SHBA.
Sot ata kanë një interes të përbashkët sigurinë energjitike ose më mirë le të themi janë bërë bashkë kundër armiqve të përbashkët në kryefjalë Irani dhe aleatët e vet ndër të cilët është shtuar edhe Turqia e Erdoganit.
✍? Anisa Bahiti