Marrëveshja Kosovë -Serbi diskutohet në Senatin Amerikan
Në Komitetin e Senatit amerikan për Punë të Jashtme sot është diskutuar për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe lëvizjes së kufijve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kjo temë është hapur nga senatori amerikan Chris Murphy, i cili i ka drejtuar disa pyetje kandidatit për ambassador të SHBA-së, në Bosnje dhe Hercegovinë, Gerorge Nelson.
“ Kjo është një punë e vështirë që do të merrni. Do do doja t’iu pyesja lidhur me një temë mjaft të nxehtë që është hapur në atë rajon, për një shkëmbim të mundshëm për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe shumë shqetësimeve që vijnë nga Prishtina dhe Beogradi se një ide e tillë mund të jetë një precedent dhe do të ketë një impakt destabilizues. A jeni në dijeni për fragjilitetin e rajonit dhe të Bosnjës, dhe përkushtimin e SHBA-ve për të ruajtur integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë senatori Murhphy, transmeton Gazeta Express.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të ruajtur dhe mbështesin
Diskutimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dy shtete të pavarura, për të normalizuar raportet e tyre janë të rëndësishme, dhe për regjionin. Ne e mbështesim vazhdimin e dialogut. Megjithatë nuk mendoj se mund të tërhiqen paralele. Nuk ka paralele në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku subjekte nën-shtetërore që kanë diskutuar shkëputjen. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për integritetin territorial të Bosnjës dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për ta mbajtur Bosnjën përpara për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo është ajo që Bosnja duhet të shoh përpara” ka thënë Nelson, kandidat për ambassador të SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë.
Për idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë folur edhe kancelarja Angela Merkel e cila ka dalë kategorikisht kundër kësaj ideje, ndërkohë këshilltari i Trumpit, John Bolton, kur ka folur për këtë çështje nuk është pozicionuar as pro, as kundër.
Edhe shumë ish-diplomatë të cilët kanë shërbyer përgjatë viteve të 90-ta në Ballkan, kanë dalë kundër idesë së lëvizjes së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një gjë e tillë mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Edhe faktori politik kosovar ka dalë i gjithi kundër kësaj ideje, përveç presidentit Hashim Thaçi, i cili në çdo formë e ka arsyetuar idenë e tijë për lëvizje të territoreve si pjesë të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.