Marrëveshja Kosovë – Serbi mund ta shfuqizojë Rezolutën 1244
Arritja e një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, do të kërkojë edhe formalizimin e saj dhe ky formalizim duhet të bëhet përmes miratimit në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.
Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sponsorizohej nga Bashkimi Evropian, i cili është lehtësues i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Por, sipas tij, marrë parasysh që OKB-ja është e përfshirë në çështjen e Kosovës, përmes Rezolutës 12 44, me të cilën e ka mandatuar administrimin ndërkombëtar, për Kosovën, siç thotë ai, do të ishte me interes që marrëveshja eventuale me Serbinë, të pranohej nga Këshilli i Sigurimit.
“Kjo marrëveshje duhet edhe formalisht ta shfuqizojë tërësisht Rezolutën 12 44 dhe duhet të zëvendësohet me një rezolutë tjetër, e cila do t’i hapë rrugë anëtarësimit brenda OKB-së. Në një mënyrë, me këtë rezolutë do t’i jepej fund administrimit ndërkombëtar, i cili është përcaktuar me Rezolutën 12 44 dhe do të bëhej një lloj njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Me këtë hapet rruga që përmes një rezolute të re të trasohet rruga e anëtarësimit të plotë të Kosovës brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Bajrami.
Mendim të përafërt ka edhe Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka thënë se megjithatë përmbajtja e marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka pse të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Unë mendoj që, si marrëveshje, nuk ka nevojë, sepse fundja, marrëveshja do të jetë produkt i negociatave bilaterale, pra produkt i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duhet patjetër që të formalizohet kjo marrëveshje, sepse deshëm ose jo të pranojmë, ne në Kosovë kemi Rezolutën 12 44 në fuqi, pra një akt juridik të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i gjithë këtyre rrethanave mund të ndodhë vetëm në rastin kur shfuqizohet kjo rezolutë, e cila do të pasohej nga një rezolutë tjetër, që do të reflektojë përmbajtjen e marrëveshjes që pritet të arrihet”, ka thënë Hoti.
Shkrimi e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/marreveshja-kosove-serbi-mund-ta-shfuqizoje-rezoluten-1244/29821899.html.