Marrëveshja KOSTT-ENTSO/Ambasada Gjermane: Ky është një moment historik për Kosovën!

21 prill 2020 | 00:34

Ambasada Gjermane uron KOSTT dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për rezultatin pozitiv të procesit të votimit brenda Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E) në lidhje me Marrëveshjen e re të Lidhjes që do të nënshkruhet me KOSTT. Kështu thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Kosovë. Ndërsa tutje shkruhet se “kjo marrëveshje më në fund mundëson krijimin e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën”.

“Ky është një moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin në rajon. Ky është rezultati i një rruge të gjatë dhe të kërkuar në të cilën Gjermania qëndronte përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve kosovare. Ne bashkërisht besojmë në përfitimin e bashkëpunimit tonë për stabilitetin rajonal dhe jemi të kënaqur që Marrëveshja e Lidhjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon”.

“Qytetarët kosovarë të të gjitha komuniteteve do të përfitojnë në fund. Përtej stabilizimit të mëtutjeshëm të rrjetit energjetik evropian, një rezultat shumë i rëndësishëm i vendimit të fundit do të jetë funksionalizimi i linjës së energjisë 400kV mes Kosovës dhe Shqipërisë që është financuar nga bashkëpunimi financiar gjerman me më shumë se 75 milion Euro – është një sukses i madh që ky projekt tani mund të nxjerrë potencialin e tij të plotë për sektorin e energjisë në rajon. Qeveria gjermane dhe organizata e saj zbatuese KfW kanë investuar afër 100 milion Euro në shtrirjen dhe modernizimin e rrjetit kosovar të transmetimit të energjisë. Ne jemi të lumtur që kemi partnerë të tillë të aftë dhe të përkushtuar në KOSTT”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bankat turke dhe rafineritë e arit ndihmuan 100 ton ar…