Marrëveshja LV-LDK duhet ta përfshijë edhe postin e presidentit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka deklaruar se në marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosjen (LV) duhet të përfshihen të gjitha pozitat që votohen nga deputetët në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet ta parashohë edhe postin e presidentit të ardhshëm.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rugova, i cili është edhe kryetar i Komunës së Istogut, ka thënë se në këtë drejtim LDK-ja është e vendosur dhe nuk do të lëshojë pe. “Për marrëveshjen është një gjë e qartë, që po ta them kështu: çdo organ që del prej Kuvendit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit dhe presidenti i shtetit, duhet të jenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit të mundshëm LDK- LV”, ka deklaruar Rugova.
Ai ka thënë se nuk i interesojnë deklarimet e zyrtarëve të LV-së të cilët po e kundërshtojnë përfshirjen e postit të president në këtë marrëveshje. Sipas Rugovës, përderisa presidenti i vendit zgjedhet nga deputetët, ai duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike për koalicionin qeverisës.
Nënkryetari i LDK-së ka folur edhe për çështjen e drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke thënë se kjo është çështje interne. “Çështja e Ministrisë së Punëve të Brendshme është krejt çështje interne. Kjo është marrëveshje që mund ta bëjë Isa Mustafa dhe Albin Kurti, sepse qeveria në Kuvend votohet si tërësi, pra votohet kabineti qeveritar dhe vetë Albin Kurti”, është shprehur.
Rugova ka shprehur optimizëm se, pavarësisht prej mospajtimeve aktuale, marrëveshja LDK-LV për qeverinë e ardhshme do të arrihet. Ai ka thënë se kjo duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundur. Por nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Rugova ka thënë se nuk është fundi i botës. “Marrëveshjet me zor nuk bëhen. Një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Dikujt mund t’i marrësh diçka me zor, por nuk mund t’i japësh diçka me zor’. Marrëveshja është çështje politike, por nëse nuk ka marrëveshje atëherë nuk është fundi i botës. Nuk po dua të kërcënoj askënd, por nuk e pranojmë fjalorin shantazhues apo kërcënues të askujt”, ka thënë Rugova.
“Epoka e re”: Z. Rugova, a pritet këtë javë të ndodhë ndonjë takim në mes të liderëve të LDK-së dhe LV-së për marrëveshjen e koalicionit qeverisës?
Rugova: Në këtë pyetje nuk mund të përgjigjem sepse për këtë çështje është autorizuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai merret me çështje të marrëveshjes.
“Epoka e re”: Çfarë po ndodh me bisedimet LDK-LV për arritjen e koalicionit qeverisës. Ishte paralajmëruar se marrëveshja mund të ndodhë shpejt por, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, kemi vetëm një takim Kurti – Mustafa?
Rugova: Për marrëveshjen është një gjë e qartë, që po ta them kështu: çdo organ që del prej Kuvendit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit dhe presidenti i shtetit, duhet të jenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit të mundshëm LDK- LV.
“Epoka e re”: Por një gjë të tillë po e refuzojnë zyrtarët e LV-së?
Rugova: Ky është tjetër muhabet. Mirëpo Kushtetuta e thotë se të zgjedhurit e popullit janë deputetët të cilët i kanë marrë votat nga qytetarët, pra nga sovrani. Kurse të tjerat, pra çdo gjë që votohet në Kuvend, mund të dalë si propozim i koalicionit dhe marrëveshjeve përkatëse. Kjo është ajo që unë mendoj se duhet të funksionojë. Përndryshe, nuk kemi të bëjmë me parlamentarizëm, por kemi me interesa të tjera të ngushta të individëve të caktuar.
“Epoka e re”: Kjo i bie se LDK-ja nuk do të bëjë marrëveshje me LV-në për koalicion qeverisës nëse në këtë marrëveshje nuk përfshihet edhe posti i presidentit të ardhshëm?
Rugova: Kjo i bie se presidenti duhet të jetë pjesë e marrëveshjes. E thashë edhe më lart, se çdo gjë që votohet në Kuvend duhet të jetë pjesë e marrëveshjes. Dihet që presidenti i ardhshëm do të votohet në Kuvend në vitin 2021. Prandaj, po e përsëris, çdo organ, çdo trup, çdo institucion që votohet në Kuvend nga të zgjedhurit e popullit, natyrisht se duhet të jetë pjesë e marrëveshjes. Nuk është me rëndësi qysh formulohet, por duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.
“Epoka e re”: Është thënë se edhe Ministria e Punëve të Brendshme është bërë pengesë për arritjen e marrëveshjes. Si qëndron puna me këtë çështje?
Rugova: Çështja e Ministrisë së Punëve të Brendshme është krejt çështje interne, është marrëveshje që mund ta bëjë Isa Mustafa dhe Albin Kurti, sepse qeveria në Kuvend votohet si tërësi, pra votohet kabineti qeveritar dhe vetë Albin Kurti.
“Epoka e re”: Mirëpo pretendimet për ta drejtuar këtë ministri i kanë shprehur LDK-ja edhe LV-ja.
Rugova: Pretendimet do të jenë çfarëdo, por unë po them se tani marrëveshja është në pyetje.
“Epoka e re”: Në bazë të qëndrimeve të deritashme të zyrtarëve të LDK-së dhe të LV-së, sa jeni optimist se mund të ketë marrëveshje?
Rugova: Unë jam për marrëveshje. Gjithashtu, jam optimist se kjo marrëveshje mund të arrihet.
“Epoka e re”: A mund të presim që marrëveshja të ndodhë këtë vit?
Rugova: Mendoj se kjo marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundur.
“Epoka e re”: Çka nëse nuk pajtoheni për marrëveshjen? Cila mendoni se duhet të jetë alternativa?
Rugova: Marrëveshjet me zor nuk bëhen. Një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Dikujt mund t’i marrësh diçka me zor, por nuk mund t’i japësh diçka me zor’. Marrëveshja është çështje politike, por nëse nuk ka marrëveshje atëherë nuk është fundi i botës. Nuk po dua të kërcënoj askënd, por nuk e pranojmë fjalorin shantazhues apo kërcënues të askujt.
“Epoka e re”: Zyrtarët e LV-së vazhdimisht po thonë se LDK-ja po e kushtëzon marrëveshjen. Si i keni parë këto qëndrime të tyre?
Rugova: Nuk i komentoj deklarimet e tyre. Unë i them qëndrimet e mia.