Marrëveshja mbi 25 milionëshe me Gjermaninë, Murati kërkon mbështetjen e deputetëve
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që ta ratifikojnë marrëveshjen e kredisë dhe projektit ndërmjet Kosovës dhe KFW, Frankfurt Am Main, për projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit”.
Murati, gjatë raportimit në komision, ka thënë se kjo marrëveshje kap vlerën prej 25.5 milionë euro teksa riskun e mbulimit të kredisë e ka marrë përsipër Qeveria e Gjermanisë.
“Marrëveshja e kapë vlerën totale prej 25.5 milionë euro. Norma e interesit përcaktohet gjatë disbursimit të kredisë. Tarifa e zotimit parashihet të jetë 0.25 për qind”.
“Ky është projekti i parë i KFW në Kosovë me mbulim të riskun të kredisë nga qeveria gjermane. Kjo patjetër do të ndikojë edhe me koston e financimit kur përcaktohet vlera. Duke marrë parasysh rëndësinë e një projekti të tillë për sektorin e energjisë dhe rëndësinë po ashtu duke marrë parasysh rrethanat dhe nevojën për investime në sistem të qëndrueshëm ju ftojë që ta mbështesni”, ka thënë Murati.
Ndërsa Bukurije Dauti nga KOSST-i, ka bërë me dije se me marrjen e kësaj kredie do të bëhen investime në tri lote.
Dauti ka thënë se investime do të ketë në sistemin energjetik në Prizren, Dragash, Ferizaj, Zhur, Deçan, Gjakovë.