Marrëveshja me Danimarkën për burgjet, Haxhiu paralajmëron votimin e saj në seancën e së enjtes
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur të martën në takim në ministrinë e Drejtësisë, homologun danez, Peter Hummelgaard.
Gjatë takimit është diskutuar rreth rëndësisë së ratifikimit të marrëveshjes mes Republikës se Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të burgut në Gjilan.
Që nga muaji korrik, për shkak të bllokimit me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, kjo marrëveshje ka mbetur pa u ratifikuar.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu ka njoftuar ministrin Hummelgaard se Shërbimi Korrektues i Kosovës veçse ka filluar procedurat për hartimin e specifikave teknike per adoptimin e hapësirave banuese si dhe rekrutimin e stafit shtesë.
Në seancën plenare të datës 15 shkurt, marrëveshja do të diskutohet dhe votohen nga deputetët. Ministria e Drejtësisë, mbetet e përkushtuar për ta fuqizuar bashkëpunimin me shtete mike si Mbretëria e Danimarkës.