Marrëveshja me Maqedoninë lëkund koalicionin grek

15 tetor 2018 | 16:54

Udhëheqësi i një partie të krahut të djathtë në Greqi ka kërcënuar me tërheqje nga koalicioni qeverisës nëse marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë del para parlamentit.

Kryeministri majtist, Alexis Tsipras, dhe Panos Kammenos, udhëheqës i Partisë së Grekëve të Pavarur, i kanë bashkuar forcat në vitin 2015, me qëllim tërheqjen e Greqisë nga kriza e atëhershme e borxhit.

Por, marrëveshja që Qeveria e Tsipras ka arritur me Maqedoninë, e cila e ndryshon emrin e saj në Maqedoni të Veriut, e ka lëkundur koalicionin.

“Nuk do të votoj për këtë marrëveshje nëse vjen në parlament”, ka thënë Kammenosi, i cili është ministër i Mbrojtjes.

“Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë”, ka thënë ai.

Nacionalistët grekë e kundërshtojnë marrëveshjen për emrin, duke pretenduar se Maqedonia është historikisht greke dhe pjesë e trashëgimisë greke.

Greqia, qëkur Maqedonia ka shpallur pavarësinë më 1991, ka këmbëngulur se emri Maqedoni sugjeron se fqinji i saj ka pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër dhe, në këtë mënyrë, e ka bllokuar rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e qershorit, e miratuar nga Tsipras, e ka hequr këtë bllokadë dhe është mirëpritur nga NATO-ja dhe BE-ja. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të hënën se humbja…