Marrëveshja me Serbinë, Kurti: Sa për mua, marrëdhëniet do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar

19 shkurt 2024 | 15:56

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot për marrëveshjen me Serbinë.

Gjatë vënies së gurthemelit të një fabrike për prodhimin e dyerve dhe dritareve në Verbicë të Gjilanit, Kurti u pyet nga gazetarët nëse është ftuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai tha se do të shkonte në takim nëse do të ftohej për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, tha Kurti.

Marrëveshja në fjalë është arritur gojarisht vitin e kaluar dhe, mes tjerash, kërkon nga Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nga Serbia ta njohë de facto Kosovën.

Sipas Kurtit, është Vuçiq ai që refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen, ndërsa vetë Vuçiq thotë se, fillimisht, duhet zbatuar ajo që është nënshkruar.

Për Asociacionin, dy vendet janë pajtuar nga viti 2013, por autoritetet e Kosovës kanë refuzuar ta themelojnë nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica është duke shkëlqyer në futbollin turk, fillimisht me…