![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/05/12_09_2019_4190935_12_09_2019_6945224_anton_berisha_780x439.jpg)
Marrëveshja me Serbinë për rrymën, Berisha ka disa pyetje për Bislimin
Kosova dhe Serbia kanë arritur të martën marrëveshjen që parasheh faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.
Kjo marrëveshje, sipas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mundëson faturimin e energjisë elektrike “sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, i cili e ka pyetur Bislimin se për çfarë kanë kundërshtuar deri tani, pasi i ka dhënë interpretim pozitiv marrëveshjes.
“Pyetja që shtrohet është: meqenëse i bëni një interpretim pozitiv marrëveshjes, atëherë për çfarë e keni kundërshtuar deri më tani? Cili është ndryshimi që e premtuat gjatë fushatës për të mos pranuar këtë marrëveshje? A e hoqët, siç thonit atëherë nënvendosjen e Kosovës ndaj Serbisë apo e rilidhët Kosovën me Serbinë? Natyrisht, që nuk keni bërë asnjë ndryshim, dhe në realitet pyetjet që do të vazhdojnë janë për radhën e gjatë të mashtrimeve”, ka shkruar Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”.