Marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së veriut
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ish-bashkëpunëtor i Kurtit, ka thënë se marrëveshja e arritur për energjinë është avancim i autonomisë së veriut.
“Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dalë në sipërfaqe. Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër. Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka thelbin tek kjo natyrë politike. Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiq”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Molliqaj ka theksuar se edhe më herët e kanë bërë të qartë se Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. “Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbeten vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë. Përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëveshjeve përmes pjesëve të ndryshme. Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty. Ky është popullizmi. Ky është rreziku”, ka deklaruar lideri i PSD-së, duke shtuar se pushtetit të ri iu dashtë pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që u firmos. “Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson”, ka thënë Molliqaj.