Marrëveshja për targat, tepër e afërt me marrëveshjen e vitit 2016
Analisti Dukagjin Gorani ka analizuar marrëveshjen e arritur në Bruksel që i dha fund bllokadës në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak. Ai thotë se marrëveshja është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2016 por se tani s’po konsiderohet e dëmshme për shkak se kryetar qeverie është Albin Kurti.
Gorani komentet i ka bërë në emisionin Pressing në T7.
“Ai fenomeni që mua më së shumti ka filluar me më brengos është një dukuri për të cilën nuk kam menduar që shoqëria jonë do të na përqafojë edhe s’kam besuar që shoqëria jonë vjen në atë pikë. Ajo është qe sa kohë fryma shoqërore është e tillë që për të nuk është me rëndësi se çka po ndodh edhe qysh po ndodh. Për të është me rëndësi kush është kah e bon’, thotë Gorani.
“Vendimet që po merren nuk po shikohen për nga përmbajtja por po shikohen për nga autori. Nëse autori ka kredibilitet politik ai vendim është i pranueshëm, nëse autori nuk ka kredibilitet vendimi është i gabueshëm”, shtoi ai.
“Marrëveshja që është nënshkruar është në vazhdën e dialogut dhe është në vazhdën e marrëveshjeve që janë bërë edhe më herët. Kjo marrëveshje nëse nuk është e njëjta është tepër e afërt me marrëveshjen e vitit 2016. Mirëpo marrëveshja e vitit 2016 është konsideru e dëmshme për shkak të autorëve. Marrëveshja e njëjtë sot po konsiderohet e dobishme për shkak të autorëve”, tha Gorani.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar në vitin 2011 në nivelin teknik, ndërsa në vitin 2012 ka kaluar në një nivel më të lartë – atë politik.
Rreth 30 marrëveshje janë arritur deri më tani, por shumë prej tyre nuk zbatohen në terren.