MARRËZIA IME

12 nëntor 2019 | 08:37

Autor: CHARLES BUKOWSKI

Janë disa shkallë marrëzie, dhe sa më i marrë që je, njerëzit do ta kenë më të qartë. Shumicën e jetës sime marrëzinë time e kam fshehur brenda vetes, por ajo ende është aty. Për shembull, ndonjë person do të më flasë për këtë apo për atë dhe derisa ky person ma shurdhon karin me gjëra bajate, unë e imagjinoj këtë person me kokën e tij a të saj në gijotinë, ose i imagjinoj në një tigan të madh, duke u fërguar, derisa më shikojnë me sy plot frikë. Në situata të tilla, ka të ngjarë se do të përpiqesha t’i shpëtoja por, derisa flasin me mua, s’mund t’i imagjinoj ndryshe. Ose kur jam në orë më të mirë, do të mund t’i përfytyroja si me biçikleta shpejt e shpejt ikin prej meje. Unë, thjesht, kam telashe me qenie njerëzore. Kafshët, i dua. Ato nuk gënjejnë dhe rrallëherë përpiqen t’ju sulmojnë. Ndonjëherë mund të jenë dinake, por kjo është e lejueshme, pse?

Pjesa më e madhe e jetës sime rinore dhe pjekurisë ka kaluar në dhoma të vockla. I kruspullosur aty, i zgurdulloja sytë në mure, në grilat e grisura, në dorëza sirtarësh. Isha në dijeni për femrën dhe e gjakoja atë, por nuk dëshiroja të kaloja nëpër tërë atë cirk për ta pasur. Edhe për paranë isha në dijeni por prapë, sikur me femrën, nuk doja t’i bëja gjërat që duhej bërë për të ardhur deri tek ajo. E gjitha që doja mjaftonte sall për një dhomë dhe për të pirë. Kam pirë i vetëm, zakonisht në shtrat, me të gjitha grilat e ulura. Ngandonjëherë shkoja në bare për t’i kontrolluar speciet, por speciet nuk ndryshonin – jo edhe aq shumë e shpesh edhe më pak se aq.

Në të gjitha qytetet i kontrolloja bibliotekat. Libër pas libri. Pak libra më kanë thënë gjë. Të shumtën më ishin pluhur në gojë, zall në mendje. Asnjëri nuk kishte të bënte me mua ose me atë si ndihesha: ku isha, askund; çfarë kisha, asgjë; dhe çfarë kërkoja, asgjë. Librat e shekullit përbënin sall fshehtësinë e të pasurit emër, trup, shëtitje, biseda, aty-këtu ndonjë veprim. Askush nuk dukej se merrej me marrëzinë time të veçantë.

Në disa bare bëhesha i dhunshëm, aty ka pasur edhe rrahje nëpër rrugica, shumë nga to i kam humbur. Por nuk luftoja njeri të posaçëm, nuk isha i zemëruar, sall që nuk mund t’i kuptoja njerëzit, çka ishin, çfarë bënin, si dukeshin. Hyja e dilja nga burgjet, më përzinin nga dhomat. Flija në ulëse parqesh, në varreza. Isha i hutuar, por nuk isha i trishtuar. Nuk isha veskeq. Sall që nuk mund të bëja asgjë të hairit nga ajo që më rrethonte. Dhuna ime ishte kundër kurthit të qartë, bërtisja e ata nuk më kuptonin. Bile edhe në rrahjet më të çoroditura e shikoja kundërshtarin tim dhe mendoja, pse është i inatosur? Ai dëshiron të më vrasë. Atëherë më duhej ta godisja që ta heq qafe bishën. Njerëzit nuk kanë sens të humorit, ata janë tepër serioz ndaj vetes.

Diku në të gjithë këtë nuk kam ide se nga erdhi kjo, ia fillova të mendoj, ndoshta do të duhej të bëhem shkrimtar. Ndoshta do të mund t’i shkruaj fjalët që s’i kam lexuar, ndoshta duke e bërë këtë do ta flak këtë tigër nga shpina. Dhe kështu ia fillova e dekadat u rrokullisën pa më sjellë shumë fat. Tashmë isha shkrimtar i marrë. Më shumë dhoma, më shumë qytete. Zhytesha poshtë e më poshtë. Një herë vdisja nga të ftohtit në Atlantë, në një kasolle prej letre të katranosur, jetoja me një dollar e një çerek në javë. Pa pajisje hidraulike, pa drita, pa ngrohje. Rrija dhe vdisja nga të ftohtit në rrobat e mia kaliforniane. Në një mëngjes e gjeta një fund të vogël lapsi dhe ia fillova të shkruaja poezi anash faqeve të një gazete të vjetër në dysheme.

Më në fund, në moshën 40-vjeçare, libri im i parë u botua, një përmbledhje e vockël me poezi. Lulja, grushti dhe kuja çnjerëzore. Pakoja e librave erdhi me postë dhe, kur e hapa, aty ishin libërthat e vockël. U hapërdanë në trotuar, të gjithë librat e vegjël dhe rashë në gjunjë në mesin e tyre, isha në gjunjë dhe mora Lule grushtin dhe e putha. Kjo ka qenë para 30 vjetësh.

Ende po shkruaj. Në katër muajt e parë të këtij viti i kam shkruar 250 poezi. Ende e ndiej marrëzinë si më vërshon, por ende nuk e kam shkruar fjalën ashtu siç kam qejf, tigri ende më rri në shpinë. Do të vdes me atë bir kurve në shpinë që, megjithatë, e kam luftuar. Dhe në qoftë se ekziston njeri që ende e ndien veten tamam të krisur për t’u bërë shkrimtar, do t’i them sall vazhdo, pështyje në zemër diellin, bjeri asaj tastiere, është lloji më i mirë i marrëzisë, shekujve u duhet ndihmë, speciet kërkojnë dritë, bixhoz dhe qeshje. Jepu. Ka shumë fjalë për të gjithë ne.

 

(Përktheu: Fadil Bajraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autore: Alina Cohen Përktheu: Fahredin Spahija Fotografia, më shumë se…