MARRJA E NËNSHTETËSISË

08 maj 2019 | 11:37

ERICH FRIED

Fried lindi më 6 maj të vitit 1921 në Vjenë. Ka folur shpeshherë për fëmijërinë e vet të suksesshme. Në vitin 1927 ai korri sukses të madh si aktor në shfaqjet për fëmijë. Filloi të shkruante vjersha dhe tregime në vitin 1930 që, mes të tjerash, ishin të nxitura nga ngjarjet politike: demonstrata e qershorit e 1927-s, pushkatimi i punëtorëve hebrenj, përjashtimi nga rrethi shoqëror i hebrenjve në fillim të 1934-s, themelimi i një grupi të vogël të rezistencës. Prindërit e tij arrestohen më 1938 dhe, pas marshimit të trupave të Hitlerit në Austri, i vdes babai nga keqtrajtimet fizike të Gestapos.
Fried arriti të emigronte në Londër, ku u gjend mes një diaspore jo edhe aq miqësore, me gjithë mbështetjen e saj modeste në muajt e parë. Më pas Friedi bëri punë të rënda fizike, në të zezën. Me paratë e kursyera mundi të blejë “Vor-Visa” (leje hyrjeje) për në Angli, për të ëmën dhe rreth 70 emigrantë të tjerë.
Anëtarësohet në grupin e rinisë emigrante “Young Austria”, të cilin e braktis për shkak të natyrës së saj dogmatike, që kishte çuar, ndër të tjera, deri në vetëvrasjen e mikut të tij Hans Schmeier.
Në lidhjet më të rëndësishme të Friedit në atë periudhë të jetës së tij bëjnë pjesë Theodor Kramer, Elias Canetti, Werner Milch dhe Joseph Kalmer.
Vendtakime të rëndësishme për Friedin dhe miqtë e tij ishin në radhë të parë bibliotekat e “Papastruara” të emigrantëve. Deri në vitin 1968 Friedi punoi si komentator për BBC-në. Megjithëse lirika e Erich Friedit, në kuptimin klasik, nuk bën pjesë në krijimtari shprehjeje por, përkundrazi, është shpesh në kundërthënie me të, shumë motive të angazhimit të tij poetik, nëse jo i tërë dorëshkrimi i tij, kanë përmbajtje nga jeta e tij.

MARRJA E NËNSHTETËSISË

Duar të bardha
Flokë të kuqe
Sy blu

Gurë të bardhë
Gjak i kuq
Buzë blu

Kocka të bardha
Rërë e kuqe
Qiell blu

SHEMBULL I VOGËL

Edhe jeta e pajetuar
Merr fund
Ndoshta më ngadalë
Se një bateri
Në një llambë dore
Që s’përdoret kurrë

Por kjo nuk ndihmon shumë:
Kur njeriu
(Supozojmë)
Pas vitesh të tëra
Do ta ndezë atë llambë ajo
Nuk nxjerr asnjë rreze drite
Dhe nëse ti e ndez atë
Has vetëm në kockat e tua
E nëse nuk ke fat
Edhe ato
Do të jenë të brejtura

Ndërkaq që ti
Po aq mirë
Do të mund ta kishe ndriçuar

NJË PARAKUSHT SHTESË

Nuk është
Vetëm e rëndësishme
Që një njeri
Të mendojë drejt

E rëndësishme është
Gjithashtu
Që ai që mendon drejt
Të jetë njeri

ÇLIRIMI NGA IDHUJT

Askush më i vogël

Se Leonardo da Vinçi
Na mëson:
“Ai që gjithmonë citon autoritetet
vë në përdorim kujtesën
por jo
edhe mendjen e tij”

Pra, mbajeni mend:
Siç thotë edhe Leonardo da Vinçi
Çlirohuni nga autoritetet

STËRVITJA E MREKULLISË

Përpara truallit të zbrazët
Me sy të mbyllur të presë
Derisa shtëpia e vjetër
Të rikthehet në vend me dyer të hapura

Orën e ngecur në vend
Ta shohë për aq kohë
Derisa akrepi i sekondave
Të fillojë të lëvizë

Të të mendoj
Derisa dashuria
Për ty
Të ketë prapë të drejtë të gëzohet

Ringjallja
Atëherë
Do të jetë
Fare e thjeshtë

(Përktheu nga gjermanishtja: Ismet Daci. Marrë nga revista “Akademia”)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme në Bashkim Evropian…