Marsi është muaj i lavdisë dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për liri
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se më 28 mars 1999, në Pozhar të Deçanit u zhvillua një nga betejat më të rëndësishme të luftës çlirimtare.
Haradinaj ka thënë se atë ditë u thyen keq forcat armike duke ikur me turp nga fushëbeteja.
“Kjo betejë, na ndau nga dy bashkëluftëtarë të zot, Elez Geci e Maxhun Berisha, që heroikisht luftuan deri në frymën e fundit. Ndërsa 29 marsi, na kthen në kujtesë martirizimin e motrave e vëllezërve tonë në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët. Po ashtu, 29 marsi, na kujton përballjen heroike në Shishman të Bokes, rënien e katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Dukagjini, Pashtriku e Drenica”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se marsi është muaj i lavdisë dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për liri.
“Dëshmorët dhe Martirët e Lirisë janë motivim për ne, që sa më shumë ta duam Atdheun e të punojmë vazhdimisht për forcimin e tij. Krahas këtij angazhimi, beteja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve vazhdon edhe sot, e do të vazhdojë deri kur të kthehen eshtrat e fundit në Kosovë. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, ka theksuar Haradinaj.