Martin Shkreli kërkon të lirohet që ta ‘shpikë’ ilaçin kundër virusit korona
Shqiptari Martin Shkreli ka kërkuar të lirohet nga burgu në mënyrë që të mund të punojë për gjetjen e një kure për koronaviruin.
Shkreli, një sipërmarrës bioteknologjik që vuan shtatë vjet burg për mashtrim të investitorëve, kërkoi të lirohet përkohësisht për tre muaj, transmeton Shneta.
Ai argumenton se një lirim nga burgu për tre muaj do ta lejonte atë të ndihmonte në zhvillimin e një kure për COVID-19, i cili u ka marrë jetën mijëra njerëz në të gjithë botën.
“Si një sipërmarrës i suksesshëm i bioteknologjisë, unë jam një nga të paktët drejtues me përvojë në të gjitha aspektet e zhvillimit të ilaçeve nga krijimi i molekulave dhe gjenerimi i hipotezave, deri te vlerësimet preklinike dhe modeli i provës klinike, sinteza dhe vendosja e ilaçeve”, thuhet në deklaratë.
Shkreli fitoi famë të keqe pasi rriti çmimin e ilaçit anti-parazitar Daraprim nga 13.50 dollarë një tabletë në 750 dollarë. Ai po mbahet në një burg federal në Allenwood, Pensilvani dhe pritet të lirohet në vitin 2023, sipas “New York Post”.