Martinez kritikon Mbappen përpara finales së Kupës së Botës

18 dhjetor 2022 | 11:43

Portieri Emiliano Martinez ka kritikuar Kylian Mbappe përpara finales së shumëpritur të Kupës së Botës “Katar 2022” mes Argjentinës dhe Francës.

Sot (e diel), dy skuadrat e mbetura do të luajnë ballë për ballë në Lusail Stadium në kërkim të lavdisë së Kupës së Botës.

Në fillim të këtij viti, superylli francez i Paris Saint Germain, Mbappe pohoi se futbolli i Amerikës së Jugut nuk është aq i avancuar sa loja në Evropë.

“Përparësia që kemi në Evropë është se luajmë mes vete me ndeshje të nivelit të lartë gjatë gjithë kohës, siç është Liga e Kombeve”.

“Kur të arrijmë në Botëror jemi gati, ndërsa Brazili dhe Argjentina nuk e kanë këtë nivel në Amerikën e Jugut. Futbolli nuk është aq i avancuar sa në Evropë. Kjo është arsyeja pse në Kupat e Botës së fundit, janë gjithmonë evropianët ata që fitojnë”, kishte deklaruar Mbappe.

Përpara ndeshjes të sotme, portieri i Argjentinës, Martinez ka kritikuar Mbappen për komentet e tij.

“Ai nuk di mjaftueshëm për futbollin. Ai kurrë nuk ka luajtur në Amerikën e Jugut. Kur nuk e keni këtë përvojë, mund të jetë më mirë të mos flisni për të. Por nuk ka rëndësi. Ne jemi një ekip i madh, i njohur si i tillë”, ka thënë Martinez.

Shoku i skuadrës së Martinezit, Lionel Messi, i cili gjithashtu ndan zhveshtoren e PSG-së me Mbappen, ra dakord me portierin e tij.

“Shumë herë kemi folur për këtë në Spanjë. Kur u kthyem nga një ndeshje kualifikuese, u thamë atyre, ‘Ju nuk e dini se sa e vështirë do të ishte për ju të kualifikoheni në Kupën e Botës nëse do të duhej të shkoni atje, në lartësi, në vapë, në Venezuelë’”, kishte thënë Messi më parë.

Në të vërtetë, procesi kualifikues në Amerikën e Jugut është krejtësisht i ndryshëm nga Evropa. 10 kombe në CONMEBOL luftojnë për vetëm katër vende automatike dhe një vend me “play-off”.

Ndërsa 55 shtete evropiane janë ndarë në 10 grupe për të luftuar për 13 vende të Kupës së Botës. Argjentina po kërkon të fitojë titullin e tretë botëror sot, ndërsa Franca kërkon të mbrojë trofeun e saj nga viti 2018.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 28-vjeçar nga Kosova ka dal të premten para gjykatës…