Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur nga qeveria e kaluar (dokument)
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas lajmit që kryeministri Albin Kurti dha sot, se arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë, nisur nga 1 tetori i këtij viti.
Bajrami përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga qeveria e kaluar, e drejtuar nga Avdullah Hoti.
“Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga Qeveria e kaluar për shkak të situatës së shkaktur nga pandemia Covid-19 e cila fatkeqësisht sot është edhe me prezente. Sigurisht, se ne nuk jemi kundër që studentët të lirohen nga pagesa e semestrit edhepse vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar (e njëjta ka ndodhur me shtesat e fëmijeve). Mirëpo ajo çka mund të themi është se Qeveria e VV-së nuk po ka kapacitete, ide dhe dije për t’u marrë me veprime të cilat e adresojnë në mënyrë të mirëfilltë reformën në arsim si dhe në fusha tjera”.
“Ne mbajmë përgjegjese Qeverine dhe pozitën (që kanë zgjedhur anëtaret e Këshillit të Cilësisë) që për herë të parë në historinë e pasluftës u ka mohuar studentëve afatin e Korrikut për aplikim në universitete publike, rrjedhimisht plot fakultete publike nuk kanë arritur t’i mbushin as gjysmën e vendeve të lira. Kjo është bërë me qëllim që studentët të orientohen të IAL (institucionet e arsimit të lartë) privat gjë që edhe ka ndodhur, kjo bëhet edhe më e padrejtë kur e dimë se studentët në IAL privat nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se gjithashtu, Qeveria është përgjegjesë pse s’po hapen shkollat dhe s’ka asnjë plan për këtë problem.
“Qeveria është përgjegjëse pse universiteti më i madh publik në Kosovë s’ka bord drejtues; pse një universitet tjetër publik është pa rektor etj etj”, ka shkruar Bajrami.