‘Masakra e Abrisë, një nga emrat e gjenocidit serb mbi shqiptarët’

26 shtator 2023 | 15:17

Të martën është shënuar 25-vjetori i masakrës së Abrisë, ku forcat serbe kishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu. Kjo masakër është përkujtuar nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasi ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, ka thënë se Masakra e Abrisë mban emrin e gjenocidit serb mbi shqiptarët.

“Ata nuk kursyen as fëmijët, as gratë e as të moshuarit, nga mosha 3-muajshe deri në 94 vjeç. Nuk kursyen asnjë anëtar të familjes Deliu atë paradite të 26 shtatorit në vitin 1998 në pyjet afër fshatit ku jetonin, në Abri të Drenicës. Të vrarë mizorisht nga afërsia, kjo ngjarje tronditi edhe mediat botërore”, ka thënë Konjufca.

Masakra e Abrisë, sipas tij, sjell në vëmendje fushatën ushtarake gjenocidale të aparatit shtetëror serb mbi popullin shqiptar në Kosovë.

Gjatë homazheve në Abri, Konjufca ka theksuar se drejtësia akoma nuk është vendosur në vend për këtë masakër dhe shumë të tjera që ka bërë Serbia në Kosovë.

“Asnjëherë nuk duhet të pushojmë së thëni se drejtësia e munguar është premtim për padrejtësi dhe krim të ardhshëm të synuar dhe këtë shteti serb nuk ka reshtur së konfirmuari përmes akteve të shumtë deri më sot”, ka deklaruar Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derbi i Beogradit mes Partizanit dhe Crvena Zvdezdës mund të…