Masakra e Krushës së Madhe po tregohet e dokumentohet përmes rrëfimeve të të mbijetuarve
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u bë promovimi i një botimi shumë të rëndësishëm për historinë tonë. Një vëllim i librave që përfshijnë transkriptimin e 200 intervistave të dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.
Në këtë hulumtim janë përfshirë 33 hulumtues dhe është mentoruar nga profesorët Arsim Canolli, Tahir Latifi dhe Shemsi Krasniqi.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, në këtë ngjarje ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se këto vëllime nuk do të na shërbejnë vetëm neve, por edhe gjeneratave të reja që krimet e bëra nga Serbia në Kosovë të mos harrohen kurrë. Fjalë rasti kanë mbajtur edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, profesori Tahir Latifi dhe Miradije Ramadani, e mbijetuar e masakrës së Krushës së Madhe.
Në ngjarje morën pjesë edhe ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Austrisë, George Schnetzer, ambasadori i Anglisë, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, u.d e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bukurie Haliti, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, mentorët e projektit Arsim Canolli, Tahir Latifi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë të të vrarëve të masakrës së Krushës së Madhe, dëshmitarë dhe të mbijetuar të kësaj masakre.
Aktiviteti që u organizua në përvjetorin e masakrës u mbyll me ekspozitën në të cilën pasqyrohen disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.
Hulumtimi dhe botimi i librave është përkrahur nga Ministria e Kulturës.