![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/08/19_12_2020_16947263_19_12_2020_8397585_auto_memli_krasniqi1555858139_1.jpg)
Masakra e Reçakut i dha vulë mizorisë së krimeve të Sllobodan Millosheviqit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kujtuar masakrën e Reçakut, në të cilën mbetën të vrarë 45 shqiptar.
Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Masakra e Reçakut i dha vulë barbarisë dhe mizorisë së krimeve të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, përcjell “Epoka e re”.
“Në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, Reçaku është një ndër plagët tona më të dhimbshme, një histori e përgjakur që nuk harrohet kurrë. Liria jonë do të jetë e plotë, atëherë kur gjenocidi serb në Kosovë të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Sot, me dhembje kujtojmë 45 fëmijë, gra e burra të fshatit Reçak, të cilët 23 vite më parë u masakruan pamëshirshëm nga policia dhe ushtria serbe.
Masakra e Reçakut i dha vulë barbarisë dhe mizorisë së krimeve të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ngriti alarmin në mesin e shteteve perëndimore për nevojën e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në vendin tonë.
Në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, Reçaku është një ndër plagët tona më të dhimbshme, një histori e përgjakur që nuk harrohet kurrë. Liria jonë do të jetë e plotë, atëherë kur gjenocidi serb në Kosovë të marrë dënimin e merituar.
Lavdi e përjetshme për martirët e masakrës së Reçakut.