Masakra e Tivarit në dritën e kërkimeve të reja
Shkruan: Begzad Baliu
Nail Draga, Masakra e Tivarit (Gjenocid kundër shqiptarëve), Art Club, Ulqin, 2020, f. 312.
Në fund të vitit 1989 një valë e madhe dëshmish shpërtheu për të kaluarën tonë të largët e të afërt. Nëse zhvillimet historike të periudhës së Perandorisë Osmane kishin filluar të mbështilleshin edhe me vellon e mitit dhe folklorit, në emër të krijimit dhe sforcimit të identitetit kombëtar brenda një pushtuesi të ri të shekullit XX; nëse në tekstet historike sado pak ishin sjellë dokumente të periudhës së parë të shekullit XX për të shquar qëndrimin antikombëtar të mbretërisë jugosllave; një periudhë tepër e ndjeshme, një periudhë personazhet e së cilës ende ishin gjallë, një periudhë për të cilën nën rrogoz flisnin apo heshtnin dëshmitarët dhe kryesit e krimit, vazhdonte të mbahej sekret, nga pushtetarët dhe përjetuesit e saj, nga historianët dhe arkivat, nga analistët dhe dëshmitarët.
Fjala është për ngjarjet e zhvilluara në fund të Luftës së Dytë Botërore, sikur janë: Ploja e përmasave gjithëpërfshirëse e Brigadave Partizane kundër shqiptarëve dhe pushkatimi masiv i tyre mbi moshën 16 vjeçare; përndjekja dhe dënimet drakonike të së Djathtës politike shqiptare nga Sigurimi shtetëror; Hyrja e Brigadave Partizane të Shqipërisë në Kosovë; Organizimi i Masakrës së Tivarit; Therori masiv në emër të “Otkupit”, Marrëveshja “xhentëlmene” Tito-Kyprili (1953); Aksioni i Mbledhjes së Armëve (1955/1956) etj.
Shikoni, se si kaloi një popull i tërë vetëm gjatë një dekade pas Luftës së Dytë Botërore, shikoni me çfarë kujtese doli pas rënies së perdes së komunizmit në fund të vitit 1989/1990, shikoni me çfarë presioni u ballafaqua një brez i ri, i cili duhej të përgatiste planin për një luftë të re çlirimtare, në një kohë që fundi i Jugosllavisë së Titos po përfundonte, ndërsa një Serbosllavi e re, po ngrihej mbi ideologjinë, së cilës i printe Akademia Serbe, Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa realizohej mbi rrogoz nga strukturat politike dhe nën rrogoz nga strukturat ushtarake e policore.
Në fund të viteve ’80, si student i një përkushtimi hulumtues kisha marrë guximin të bisedoja dhe të mblidhja të dhëna nga dëshmitarë në Kosovë, duke filluar nga prindërit e mi: për plojën e pastrimit pas Kryengritjes së Gjilanit, ku Brigada Partizane Maqedono-Kosovare kishte pushkatuar ndër të tjerë edhe xhaxhain tim, ndërsa në familjen e nënës, para syve të saj ishin pushkatuar jo më pak se 17 anëtarë të familjes, burra dhe gra.
Artikullin e parë me titull Disa probleme relevante rreth organizimit dhe krimit në Tivar (1990), a pata botuar në gazetën më të guximshme të kohës Bota e re, por jo të tërin. Lexuesit e tij të parë, studiues që mbanin mbi supe grada shkencore më preferuan që dëshmitë e përjetuesve të kësaj masakre për kalimin nëpër Shqipëri dhe sidomos për ato që kishin parë e dëgjuar për qëndrimin e Partisë Komuniste Shqiptare t’i mënjanoja ose t’i rrudhja deri në maksimum, pasi ato ishin fjalë goje e jo dokumente. Dhe ashtu bëra. Artikullin e dytë, tani jo shtrim problemesh po dëshmi të dorës së parë, si të ishte ky një reportazh i mbajtur hap pas hapi me dëshmitarët e Masakrës së Tivarit, nga vendlindja e katër dëshmitarëve Makreshi i Poshtëm i Gjilanit deri në Ajdovshçin të Sllovenisë e botova dy vjet më vonë te gazeta, “Shkëndija” , pasi sipas redaktorit të saj, e kisha dhënë një provim të suksesshëm me fejtonin mbi plojën e Brigadës Maqedono-Kosovare në rrethinën e Gjilanit, pas kryengritjes për çlirimin e këtij qyteti nga forcat e rezistencës . Kërkimet e mia në këtë frymë, mbi fatin e popullit shqiptar në këto zhvillime i kam përmbyllur me dëshmitë për Aksionin e mbledhjes së armëve 1955/1956 .
Atë vit u botuan edhe dhjetëra artikuj, dokumente e dëshmi, prej të cilëve do të veçoja botimin e dokumenteve nga Profesor Hakif Bajrami te “Vjetari” i Arkivit të Kosovës dhe dëshmitë e Azem Hajdinit, librin e Muhamet Pirrakut, Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës – Tivari 1945 (1994), ndërsa qe provuar të organizohej edhe një konferencë shkencore nga Instituti i Historisë me këtë temë, duke i përfshirë aty si dëshmitarë edhe disa nga personalitetet e njohura politike të Kosovës.
Prej këtij viti, pra gjatë këtyre tri dekadave ka pasur disa përpjekje për ta thënë të vërtetën rreth kësaj ngjarje, ndërsa vëllimi që po e përurojmë është një prej dëshmive për këto përpjekje. Studiues, si Uran Butka, Frank Shkreli, Eugjen Merlika, Nue Oroshi, Kastriot Dervishi, Elmaz Leci etj., duke qenë në pozita të larta të institucioneve arkivore, duke qenë pranë institucioneve të cilat përfaqësojnë dokumente me vlera relevante, kanë sjellë dëshmi për të cilat profesori im i vitit 1989 më thoshte se nuk është mirë të flas pa i pasur ato. Studiues si këta dhe disa të tjerë, të cilët kërkimet e tyre arkivore i kanë botuar në revista me qasje më të ngushtë, e të cilat me gjasë mbarështruesi ynë Prof. dr. Nail Draga nuk i ka pasur, ose nuk e ka parë të arsyeshme të përfshihen këtu, kanë sjellë vlerësime dhe dëshmi arkivore të kësaj masakre të madhe dhe të këtij gjenocidi para të cilit është obligim të përkulen qeveritarët dhe sidomos parlamentaret e tri vendeve me përgjegjësi politike: nga Kuvendi i Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, ndërsa të marrin përgjegjësinë ligjore dhe historike kuvendarët e shtetit të Serbisë, e cila mban përgjegjësinë për organizimin, krimin dhe sigurisht fshehjen e tij.
Një kapitull më vete në këtë vëllim zënë tekstet me dëshmitarë nga kjo ngjarje, të cilat i kanë shkruar historianët, gazetarët, analistët dhe personalitetet e përkushtuara ndaj historisë, si: Aqif Selimi, Nuredin Ahmeti, Haxhi Birinxhiku, Halil Gashi dhe Beqir Elshani. Janë tekste me biseda të shtruara, me përshkrime udhëtimi e situata të veçanta sa personale aq edhe kolektive, me përshkrime ndjenjash të brendshme dhe pamjesh të jashtme, me dëshmi që më parë se sa histori mbartin me vete dhimbje, gjak dhe lot. Fjala është për dëshmitarët e fundit të kësaj masakre, për kujtesën e të cilëve sot flasin kryesisht pasardhësit e tyre, por vështirë të gjendet një i gjallë që ka kujtesë të mirë për të rrëfyer të vërtetën e tij dhe të brezit të tij.
E kam pyetur njërin prej të mobilizuarve të fshatit tim, pse dëshmia e tij rreth një ngjarjeje pranë kroit dallon nga dëshmia më e plotë e një tjetri në po këtë histori.
-Për cilin krua, -më tha, -e keni fjalën!
-Për Kroin, një gurrë e vogël, ku ju jeni ndalur të pini ujë, – i thash.
-Dëgjo, – më tha bashkëfshatari im. – Gjatë rrugës ka pasur qindra kroje, gurra, prrocka, puse të vogla bagëtish etj., ndërsa ne ishim të etur dhe kudo, në secilin prej tyre janë zhvilluar ngjarje, vrasje, krime, pushkatime, plagosje, rrahje, sharje, përpjekje për ikje etj., dhe për secilin prej tyre ka madje nga disa histori të përsëritura në një mënyrë apo një mënyrë tjetër, nga një grup e nga disa grupe të një Eshaloni. Puna e juve historianëve është shumë e ngatërruar, sepse ju kur flisni për një krim të madh pranë një kroi, ju duhet ta saktësoni atë nëse ka qenë ky krim në Eshalonin e parë, të Dytë apo të Tretë; nëse ka qenë në fillim të radhës së të mobilizuarve në Eshalon, diku në mes apo nga fundi, e për ta bërë këtë ju duhet ta identifikoni doemos njërin prej të vrarëve, a të pushkatuarve. Ju po u bëni përshkrimeve në formë të përgjithshme, sikur ka ndodhur një mobilizim, ka qenë një Brigadë, një grup njerëzish etj.
Jo!
Dallimi i udhëtimit të grupit të parë është i madh nga mënyra si kaluan të mobilizuarit e grupit të dytë dhe të tretë; mënyra se si kaluan të mobilizuarit e grupit të parë në Shqipëri, madje si u pritën në Shkodër, është dukshëm më i ndryshëm me ata që kaluan pastaj me grupin e dytë dhe të tretë. Po kështu mund të thuhet edhe me rrugëtimin tonë nëpër Mal të Zi, afër Dubrovnikut e deri në Ajdofshçin të Sllovenisë, kur u bë demobilizimi dhe të gjithë ata që nuk e kishin mbaruar shërbimin ushtarak mbeten aty ndërsa të tjerët u liruan në shtëpi.
Ju keni tri rrugë:
1. Të zbuloni dhe të vlerësoni dokumentet ushtarake jugosllave, të cilat sigurisht janë pastruar nga pjesa e krimit, të shihni dokumentet politike të cilat sigurisht ruajnë zanafillën e organizimit të krimit dhe vështirë do ta keni;
2. Të zbuloni e lexoni dokumentet e Arkivave të Shqipërisë në të cilat sigurisht janë ruajtur po nuk tregohen të vërtetat, sepse për punët tona (e kishte fjalën për Kosovën) Djalli dhe Zoti bëhen bashkë;
3. Të zbuloni e lexoni dokumentet e Amerikës e të Inglizit, se më mirë se ato nuk e di të vërtetën askush. Unë e kuptoj Serbinë e Jugosllavinë e qe besa edhe Shqipërinë pse e fshehën krimin në Tivar, unë thoshte dëshmitari im, nuk mund ta kuptoj pse këtë krim e fshehën institucionet e Amerikës dhe Anglisë, në të cilën kemi besuar shumë, kur e bëmë kryengritjen në Drenicë e në Gjilan, kur na thoshin se “Inglizi asht te Thana” (Fjala është për kufirin jugosllavo-shqiptar dhe pikën e kalimit në Qafë Thanë), kur na thoshin që partizanët, katundarë të zbritur nga mali, mund ta mbajnë pushtetin jo më shumë se tri ditë. Kur këtë të vërtetë ta zbardhni i keni zbardhur edhe dy të vërtetat e para.
Ky vëllim me studime, kërkime, dokumente, rrëfime, analiza, dëshmi etj., i përgatitur me kompetencë dhe me përkushtim, gati si asnjë vëllim i kësaj natyre deri më tash, mund të konsiderohet i veçantë edhe për një paraqitje, e cila i ka munguar historiografisë sonë: intervistave me dëshmitarë në shtypin jashtë Kosovës. Për ne dhe sidomos për historiografinë tonë, e vërteta, në të vërtetë prapaskena e këtij krimi, do të shfaqet e plotë, vetëm atëherë kur të kemi në dorë dokumentet e Arkivave të Ushtrisë Jugosllave, dokumentet e Arkivave të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë, dokumentet e Arkivave të Malit të Zi dhe doemos dokumentet e Brigadave të Luftës Nacional Çlirimtare të Serbisë, Malit të Zi e të Maqedonisë.
Të nderuar kolegë!
Vëllimi me studime, dokumente dhe dëshmi, intervista e recensione për botimet mbi Masakrën e Tivarit përmbyllet me pesë recensione, të cilat pak a shumë dëshmojnë edhe për shkallën e kërkimeve tona mbi këtë plojë. E kjo është shkalla e parë, po jo edhe shkalla e dytë dhe sidomos e tretë, të cilën ma pati lënë peng njëri prej të mobilizuarve dhe njëri prej dëshmitarëve të mi të vitit të largët 1989.
Urojmë që përurimi i ardhshëm i Profesor Nail Dragës të sjellë fotografi e dokumente ushtarake nga Amerika dhe Anglia, të cilat do të dëshmojnë të vërtetën e madhe të këtij krimi.
Prishtinë – Prizren, 11 qershor 2021