Masakra në Brazil, sharrëxhinjtë vrasin liderin e grupit indigjen
Njerëzit vendas në Amazonën braziliane po mbajnë zi për vrasjen e një udhëheqësi të komunitetit që bëri fushatë për të mbrojtur pyllin nga prerjet në mes të shkallëzimit të dhunës në rajon.
Jorginho Guajajara, një prijës ose udhëheqës i popullit Guajajara, u gjet i vdekur pranë një lumi në qytetin Arame, shtetin Maranhao, në fundjavë.
Anëtarët e fisit thonë se vdekja e tij ishte rezultat i një konflikti të ashpër të provokuar nga inkursioni i sharruesve në vendin e tyre. Deri në 80 guajajaras janë vrarë në zonë që nga viti 2000.
“Trupi i Jorginho u gjet i hedhur në një lumë i njohur si terren ku hidhen guajajarasit e vrarë nga sharrëxhinjtë ose njerëzit e lidhur me ta”, tha Sarah Shenker, studiuese e lartë në Survival International, lëvizja globale për të drejtat e fiseve.
Guajajara është një grup që ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për të reduktuar prerjet e paligjshme të pyjeve në Araeibóia në shtetin Maranhao.
Kujdestarët thonë se ata mbrojnë pyllin për familjet e tyre dhe për fisin pak të njohur Awá që jetojnë në të njëjtin territor.
“Duke pasur parasysh se ato janë të pambrojtur, janë njerëz jashtëzakonisht të prekshëm, të cilët do të përballen me një katastrofë, nëse toka e tyre nuk do të mbrohet”, thotë Shenker. “Survival International ka bërë presion mbi qeverinë braziliane për të mbrojtur tokën, si dhe për të hetuar dhe sjellë të gjithë kriminelët para drejtësisë”.
Aktivistja indigjene Sônia Guajajara, – e cila është nga rezerva Araribóia dhe aktualisht po kandidon si zëvendës-presidente për partinë e Socializmit dhe Lirisë, tha: “Njerëzit tanë po vdesin në tokën e tyre. Ky nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një gjenocidi të vazhdueshëm “.
Kandidatura e saj ka vendosur në qendër të vëmendjes Guajajaras, një nga grupet më të mëdha indigjene të Brazilit, që banojnë në më shumë se 10 zona të mbrojtura në pjesën lindore të Amazonës në Maranhao.
Kjo zonë është subjekt i shpyllëzimit intensiv, dhe sipas të dhënave të qeverisë, 70% e bimëve në shtet tashmë është pastruar.
“Maranhao është një shtet me një shkallë të lartë të konflikteve indigjene,” tha ajo. “Sharrëxhinjtë hyjnë në territoret tona për të shfrytëzuar burimet tona natyrore, dhe dhuna përshkallëzohet. Shumë udhëheqës po kërcënohen nga këta pushtues dhe ne kemi nevojë urgjente për t’i dhënë fund kësaj situate; ne nuk duam të humbasim më shumë të afërm që luftojnë dhe mbrojnë Tokën Nënë “. /Guardian/