Masat e BE-së, Kurti: Bëhet fjalë edhe për anulimin e vizitave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur sërish të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) të cilat janë vendosur për shkak të mosshtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Kurti ka thënë se bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave.
“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre. Ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe ‘2023’ sidomos në Gjakovë kur e kishim të planifikuar, u pat anuluar. Bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave, por gjithsesi bëhet fjalë për masa të përkohshme e të cilat për bindjen time janë të padrejta”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë së punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë.
Më tutje, Kurti ka akuzuar opozitën, e cila sipas tij nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.
“Ajo çfarë ne dhe duhet të bëjmë është që në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante të cilat kanë negulur të ngujuara dhe të cilat nuk po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosovës, në vlerën e përgjithshme prej 149 milionë euro, pra kredi dhe grante ndërkombëtare”, ka thënë Kurti, duke kërkuar nga opozita që t’i votojnë këto marrëveshje.
“Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, e kemi një ngujim aktual të cilin mund ta kalojmë shumë kollaj bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.