Masat e Prishtinës zbrazin rrugët dhe sheshet
Ministria e Shëndetësisë njofton se nga sot (15 prill), ora 06:00, me qëllim të mbrojtjes së jetës së banorëve në komunat e Republikës së Kosovës hyjnë në fuqi masat e reja të qarkullimit. Masat e reja të qarkullimit në vend kanë për qëllim parandalimin, luftimin dhe eliminimin e pandemisë COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë, duke respektuar dispozitat ligjore dhe frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, merr masat e paralajmëruara me vendime të veçanta për secilën komunë.
Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa për shtetasit e huaj i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës.
Pas çdo intervali kohor operatorët ekonomikë janë të detyruar që gjatë 30-minutëshit që nuk ka lëvizje të qytetarëve ta bëjnë dezinfektimin e hapësirës afariste.
Për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë apo institucioneve përkatëse, mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet e parapara, transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit, qarkullimi i lirë për institucionet vetëm për të kryer detyrat zyrtare në listën e bashkëngjitur në Aneksin 2 dhe 3 të këtyre vendimeve. Për të qarkulluar sipas kushteve të parapara në vendimet, duhet deklarim-konfirmimi nga ATK sistemi EDI.
“Në vendime citohen edhe mundësitë e lëvizjes lidhur me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve. Në vendime parashihen edhe sanksionet financiare për kundërvajtje administrative për personat fizikë dhe personat juridikë”, thuhet në njoftim.
Këto masa vlejnë deri më 4 maj 2020.