Qeveria shton kapacitetet mjekësore dhe mbyllen lokalet gjatë natës
Qeveriae Kosovës pritet që sot gjatë ditës t’i marrë disa masa të reja ndaj parandalimin të Covid-19.
Pas takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar para opinionit masat e reja që shumë shpejt do të bëhen vendime të qeverisë.
Përveç kufizimit të lëvizjes në qytetet me numër të madh të të infektuarve, Hoti ka deklaruar se do të shtohen kapacitetet mjekësore dhe do të mbyllen lokalet gjatë natës
“Do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje duke riorganizuar komplet klinikën e QKUK-së si dhe në spitalet private. Të blejmë edhe shtatë aparatura shtesë të testimit. Do të krijojmë kapacitete shtesë me personel shëndetësor, duke mobilizuar në nivel vendi edhe ata që nuk janë të punësuar, e në veçanti në infermieri e mikrobiologji”, ka thënë ai, duke shtuar se do të synohet të bëhen deri në 500 testime në ditë.
“Do të merremi me krijimin e kapaciteteve për testim virulogjik, do të krijohen kapacitetet brenda ditës, deri 500 teste brenda ditës. Të krijohen kapacitete në regjione. Do të blejmë edhe 100 mijë teste shtesë. Por, do të bëjmë një formë të prioritetit se kush do të testohet. Është që të bëjmë buxhetin në dispozicion për të siguruar 100 mijë teste, deri në 500 mijë vaksina sezonale, për të siguruar vaksina COVID në lidhje me protokollet e OBSH-së kurdo që ajo është e gatshme. Për të blerë shtatë aparatura për testime virulogjike”, ka thënë ai.
Me tej, ai ka treguar se do të mbyllen të gjitha lokalet nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Gjatë kësaj kohe, sipas tij, do të lejohet gastronomia vetëm në hapësira të hapura dhe ‘takeaway’.
(M.K / Epoka e re)