Masat ndëshkuese mund ta ndalojnë shfrenimin e Serbisë përballë Kosovës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë të frikshme dhe me pasojë afatgjatë.
Lekaj në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se veriu i Kosovës vazhdon të jetë “thembra e Akilit” për Kosovën tash e dy dekada.
“Zhvillimet ku u shfaqën forcat militare e terroriste, duke lënë të vdekur një polic dhe tre zyrtarë të tjerë të lënduar, janë të frikshme dhe që pasojat do të jenë afatgjatë”, ka thënë Lekaj.
Në këtë kontekst, Lakaj ka thënë se AAK-ja ka kërkuar hetim ndërkombëtar për këto veprime terroriste.
“AAK-ja ka kërkuar hetim ndërkombëtar, sepse është mjeti politik e juridik që së pari të zbardhë e fakton të vërtetën që Serbia është agresori e jo vendi ynë. Së dyti të nxjerrë para drejtësisë fajtorët. Së treti ky angazhim i ndërkombëtarëve në hetim rrjedhimisht do të ndalojë për një kohë ndonjë veprim apo ngjarje në veriun e dirigjuar nga Serbia, të cilat mund t’u sjellin dëme institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.
Më tutje, Lekaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta ndryshojë kursin karshi Serbisë.
“Serbia po vërtetohet që në asnjë mënyrë nuk po mund ta pranojë Kosovën shtet të pavarur e sovran brenda BE-së e institucioneve ndërkombëtare, prandaj me çdo mënyrë po tenton ta destabilizojë veriun dhe t’i ndalojë proceset thelbësore për vendin. Nëse ndërkombëtarët nuk veprojnë, Serbia do të rritë intensitetin e sulmeve përmes grupeve kriminale”, ka theksuar Lekaj.
Po ashtu, Lekaj ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të marrë masa ndaj Serbisë për agresionin e hapur kundër Kosovës. “Vetëm masat dhe dënimet e vërteta politike mund ta ndalojnë shfrenimin e Serbisë përballë Kosovës”, ka thënë ai.
Duke iu referuar zhvillimeve në veri, deputeti Lekaj ka thënë se pret që të ketë presion ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Do të ketë presion apo kërkesa të vazhdueshme për të dy vendet që dialogu të vazhdojë, por sfiduese do të jetë për ndërkombëtarët, sepse fillimisht duhet ta qetësojnë situatën dhe duhet t’i ndalojnë synimet e Serbisë që përmes grupeve kriminale ta sulmojë e menaxhojë veriun e Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Veriu vazhdon të jetë “thembra e Akilit” për shtetin e Kosovës që mbi dy dekada
“Epoka e re”: Z. Lekaj, si i komentoni zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ku një polic ka rënë në mbrojtje të sovranitetit?
Lekaj: Veriu i Kosovës vazhdon të jetë “thembra e Akilit” për shtetin e Kosovës që mbi dy dekada. Serbia cenon dhe prek gjithmonë këtë pikë të dobët të vendit tonë duke bllokuar që 24 vjet të gjitha proceset dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Zhvillimet ku u shfaqën forcat militare e terroriste, duke lënë të vdekur një polic dhe tre zyrtarë të tjerë të lënduar, janë të frikshme dhe që pasojat do të jenë afatgjatë.
“Epoka e re”: A duhet bashkësia ndërkombëtare të jetë më e ashpër ndaj Serbisë për agresionin e ushtruar në territor të Kosovës?
Lekaj: Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndryshojë kursin e veprimit përballë Serbisë. Serbia po vërtetohet që në asnjë mënyrë nuk po mund ta pranojë Kosovën shtet të pavarur e sovran brenda BE-së e institucioneve ndërkombëtare, prandaj me çdo mënyrë po tenton ta destabilizojë veriun dhe t’i ndalojë proceset thelbësore për vendin. Nëse ndërkombëtarët nuk veprojnë, Serbia do të rritë intensitetin e sulmeve përmes grupeve kriminale.
“Epoka e re”: Prisni vendosjen e ndonjë mase ndëshkuese për Serbinë nga bashkësia ndërkombëtare?
Lekaj: BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, përveç që i kanë dënuar sulmet e Serbisë, patjetër duhet të marrin masa ndëshkuese. Vetëm masat dhe dënimet e vërteta politike mund ta ndalojnë shfrenimin e Serbisë përballë Kosovës. Duke e njohur që ky shtet është zullumqar, në çdo moment mund të priten eskalime të situatave dhe ngjarjeve në komunat me shumicë serbe, qoftë duke sulmuar apo edhe duke inskenuar plane për t’u viktimizuar përballë faktorit ndërkombëtar.
“Epoka e re”: AAK-ja ka kërkuar hetim ndërkombëtar lidhur me këtë sulm kriminal. Jeni optimist se do të merret parasysh kjo kërkesë?
Lekaj: Po, AAK-ja ka kërkuar hetim ndërkombëtar, sepse është mjeti politik e juridik që së pari të zbardhë e fakton të vërtetën që Serbia është agresori e jo vendi ynë. Së dyti t’i nxjerrë para drejtësisë fajtorët. Së treti ky angazhim i ndërkombëtarëve në hetim rrjedhimisht do të ndalojë për një kohë ndonjë veprim apo ngjarje në veriun e dirigjuar nga Serbia, të cilat mund t’u sjellin dëme institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
“Epoka e re”: Çfarë ndikimi mund të kenë këto zhvillime në raport me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Lekaj: Situatat e tensionuara dhe zhvillimet e fundit i shkojnë në favor Serbisë sepse ajo fiton në kohë duke bllokuar Kosovën në dialog dhe rrjedhimisht duke e vonuar datën e liberalizimit të vizave, integrimin e plotë të Kosovës në BE dhe organizatat ndërkombëtare si OKB-ja dhe NATO-ja. Gjithashtu, ky kaos i veriut i lejon Serbisë të krijojë plane e strategji të reja që t’i rritë kërkesat në tavolinën e dialogut. Ndikimi negativ për vendin tonë është që i bënë qytetarët e Kosovës të pasigurt e sidomos ata të komunave veriore, i bllokon proceset jetike të vendit, rrit ikjen e qytetarëve nga vendi si shkak i frikës, si dhe e bën Kosovën vend të pasigurt për investitorët e jashtëm duke ndikuar kështu negativisht në zhvillimin ekonomik.
“Epoka e re”: A pritni të rritet presioni ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel?
Lekaj: Do të ketë presion apo kërkesa të vazhdueshme për të dy vendet që dialogu të vazhdojë, por që sfiduese do të jetë për ndërkombëtarët sepse fillimisht duhet ta qetësojnë situatën dhe duhet t’i ndalojnë synimet e Serbisë që përmes grupeve kriminale të sulmojë e menaxhojë veriun e Kosovës. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët ende nuk e njohin mirë Serbinë, pasi është ajo Serbia e Madhe që nuk është përmirësuar, është ajo e vjetra që nuk e ka harruar zanatin e terrorit, vrasjet e pushtimet. Kosova ka nevojë ta mbyllë njëherë e përgjithmonë punën me Serbinë.