Masat politike ushtarake të Beogradit (5)
Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës”
Prof. ma. Adem Ademi
Që nga shpallja e Kushtetutës e vitit 1974 udhëheqësia e organeve më të larta politike të Kosovës ushtronte dhe zbatonte autonominë e plotë politike pa ndërhyrje nga duart e zgjatura të politikës zyrtare të Serbisë, njëherësh kishte barrën kryesore të përgjegjësisë politike dhe juridike për organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike në Kosovë deri më 1 prill 1981.
Me urdhër të vendimit politik ushtarak të kryetarit të Kryesisë së RSFJ-së, të kryetarit të Kryesisë së KQJ-së dhe të Komandës së Lartë Ushtarake, forcat policore dhe ushtarake nga të gjitha viset e Jugosllavisë, filluan hyrjen në Kosovë më 1 prill të vitit 1981, nga të katër anët dhe nga toka dhe ajri. Në Prishtinë u instalua udhëheqja më e lartë politik, ushtarake e federatës si: Branko Maulla, Franjo Hrleviq e personalitete të tjera nga federata. U instalua një ekip i specialistëve të sigurisë. Në relacionin Prishtinë-Beograd, u hap linjë e veçantë telefonike për Kryesinë e RSFJ-së, faktikisht në këto rrethana politike të jashtëzakonshme dhe me këto masa politike-ushtarake nga Beogradi, Kosova gjendet nën administrimin ushtarak-policor të Jugosllavisë, për herë të dytë pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë muajit prill të vitit 1981 Kryesia e RSFJ-së miratoi dy dokumente me një varg masash politike dhe të masave të mbrojtjes dhe sigurisë. Më 1 prill miratoi planin Rubin 81, kurse më 29 prill miratoi masat e tjera politike pas intervenimit. Pakot përfshinin masat politike dhe masat për mbrojtje dhe siguri.
Më 1 prill 1981 urgjentisht u mobilizuan 10 mijë forca policore të rregullta, kadetë dhe rezervistë nga e gjithë hapësira e Jugosllavisë, 8 mijë forca policore u aktivizuan kundër demonstruesve dhe 2000 forca policore mbeten në gjendje gatishmërie për intervenim në rast nevoje.
Në Kosovë hynë dy korpuse të ushtrisë së rregullt jugosllave nga të gjitha viset tjera dhe u njoftuan disa korpuse të tjerë për gjendjen gatishmërie.
Në territorin e Kosovës u dha urdhri për mobilizimin e policisë, Mbrojtjes Territoriale, të njësisë lokale dhe të njësisë së organizatës së punës së bashkuar. Mobilizimi i MT të Kosovës, kishte dështuar për shkak të bojkotit të qytetarëve shqiptarë, shqiptarët nuk donin që të konfrontoheshin me fëmijët e tyre në demonstrata, në vend të shqiptarëve ishin paraqitur vullnetarisht qytetarët serbë dhe malazezë.
Ishte marrë vendim që mos të përdoren armët kundër demonstruesve, por ky vendim ishte shkelur nga njësitë e bashkuara policore dhe njësitë speciale të Jugosllavisë në disa qytete si në Prishtinë, Vushtrri dhe Ferizaj.
Prishtina ishte në gjendje shtetrrethimi nga të katër anët me vendim të Shtabit Suprem të Beogradit, kurse Podujeva kishte mbet në shtetrrethim 7 ditë nga ushtria jugosllave pa ndonjë vendim të veçantë politik. Brigada e blinduar 211 e cila u dërgua nga Nishi në Podujevë. Brigada e rrethoi dhe bllokoi atë. Pas disa ditëve, bllokada u tërhoq, kurse njësia u tërhoq në fshatin e afërt Obranqë, ku i kaloi gjashtë muaj deri në tetor “kohë pas kohe demonstronte fuqinë” rreth qytetit.
Pas ndërprerjes së demonstratave masive katërditore, me 5 prill 1981, në Beograd, në mbledhjen e Kryesisë së RSFJ-së, gjatë debatit rreth situatës politike në Kosovë, u nisën edhe dy masa tjera politike dhe ushtarake: siç ishin;
Kontrollimi i shtëpive të familjeve shqiptare për armatim dhe vendosja e ushtrisë jugosllave për gjatë gjithë vijës kufitare mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Këto dy iniciative ishin kundërshtuar nga pala kosovare.
Ende pa kaluar një muaj nga intervenimit brutal i policisë dhe ushtrisë jugosllave ndaj demonstruesve shqiptarë në Kosovë, Kryesia e RSFJ-së dhe Komanda Supreme e Ushtrisë, mori hapin tjetër të masave politike për Kosovë. Siç ishin:
Fillimi urgjent i diferencimit ideo-politik në Lidhjen Komuniste të Kosovës, fillimisht tek udhëheqja më e lartë kosovare pastaj tek institucionet e tjera të Kosovës dhe në hapësirat e tjera shqiptare.
U mor vendim për riorganizimin e korpusit 51. Me riorganizimin e ri u forcuan forcat e APJ-së në krahinë, në zonën e Rashkës, në jug të Serbisë dhe Maqedonisë.
Për shkak të dyshimit të udhëheqjes së lartë ushtarake në mbajtjen e shqiptarëve në radhët e saj në Mbrojtjen Territoriale në rast krize u realizua riorganizimi i këtij formacioni, i cili deri në vitin 1981, numëronte 63000 mijë njerëz. U vendos që MT ndjeshëm të zvogëlohet. Gjithashtu u bën ndryshime në planin e organizimit të përgjithshëm, në të cilat ndryshime e para qe mobilizimi i shqiptarëve në rast rrezikut të luftës të ndahen në njësi të vogla dhe të shpërndahen në gjithë hapësirën jugosllave.
U ndërpre funksionimi i Mbrojtjes Territoriale të Kosovës dhe nuk është aktivizuar asnjëherë më.
U vendos që forcat policore dhe ushtarake të mbesin në Kosovë deri në një vendim tjetër. U vendos që udhëheqjen e Shërbimit Informativ të Sigurisë në Kosovë ta merr Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme, me qëllim të kryerjes së detyrave të shërbimit informativ të sigurisë dhe të zbulojë organizatorët e demonstratave.
Organizimi, forcimi teknik dhe aftësimi i Shërbimit Publik të Sigurisë dhe policisë në Kosovë si dhe aftësimi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Është rrit numri i policëve rreth 1000 persona, nga të cilët nga qytetarët janë pranuar 900. Me ta janë mbajtur 2 kurse të shkurtra profesionale dhe tash gjenden në praktikë.
Në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore janë pranuar rreth 1000 punëtorë, dhe ka mbet të pranohen edhe aq, megjithatë numri më i madh i kuadrove të paplotësuar janë vendet e punës për punëtorët operativë.
Pranë njësive ekzistuese duhet për të formuar 7 stacione policore të reja dhe 29 departamente.
Shqyrtimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse të Jugosllavisë me Shqipërinë. Shqyrtimin e të gjitha formave të bashkëpunimit të deritanishme dhe eliminimi i asaj çka është për shtetin tonë ka qenë ose mund të jetë e dëmshme.
Ndalimin e plotë angazhimin e mëtejmë të mësimdhënies së profesorëve nga Shqipëria në Universitetin e Prishtinës.
Ndalimin e shfrytëzimit të literaturës nga Shqipëria dhe të shihet qëllimi dhe përmbajtja e tyre. Të zvogëlohet bashkëpunimi në sferën e kulturës, arsimit, sportit, turizmit dhe bashkëpunimet mes KSA të Kosovës dhe Shqipërisë.
Këshilli për Siguri dhe Mbrojtje Kushtetuese që nga 12 marsi i kishte vlerësuar demonstratat si përpjekje kontrarevulucionare, këtë vlerësim e pranoi fillimisht Kryesia e RSFJ, pastaj forumet e larta politike krahinore dhe të Serbisë. Në diskursin politik të komunistëve nuk ka pasur kualifikim më të rëndë të ngjarjeve. Kjo kohë politike ndaj ngjarjeve të Kosovës ka vazhduar pa ndërprerë një dekadë. Organet federative vendosën që bartës i luftës ndaj kundërevolucionit të jetë komiteti krahinor, kurse ta ndihmojnë organet republikane dhe federative.
Statistikat e dhunës dhe terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve
Shtabi i Lartë Ushtarak nga Beogradi i përdori të gjitha mjetet politike dhe juridike që ishin në fuqi për mobilizimin e forcave të rregullta, kadetët dhe rezervistët e policisë dhe ushtrisë gjithë jugosllave për shtypjen e demonstratave gjithpopullore në Kosovë.
Gjatë intervenimit të 60 000 mijë forcave policore dhe ushtarake në Kosovë gjatë tri ditëve të para të prillit 1981, terrorizuan popullatën shqiptare duke shkaktuan një situatë të rëndë politike dhe të komplikuar, ku pati rrahje, plagosje, burgosje e vrasje. Gazetarët ndërkombëtarë e krahasonin intervenimin e policisë ndaj demonstruesve shqiptarë intervenim agresiv dhe të panevojshëm. “Policia e dërguar nga Beogradi ka qenë shumë agresive ndaj demonstruesve dhe qytetarëve me kombësi shqiptare. Këtë nuk është dashur ta lejojë udhëheqja jugosllave sikur nuk pati lejuar as vetë presidenti në demonstratat e vitit 1968.
Gjatë shpërthimit të demonstrative, censurës së rregullt politike në masmediat jugosllave, iu shtua edhe censura politik-ushtarake nga plani Rubin 81. Institucionet shtetërore për media nuk publikonin asnjë informacion për opinioni publik vendor dhe as për atë ndërkombëtar rreth bilancit tragjik në Kosovë. “Në Kosovë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe se “çdo gjë atje është vënë nën kontrollin e ushtrisë, policisë dhe milicisë, e cila defilon mbi tanke e autoblinda. Edhe gazetarëve iu është ndaluar vizita në atë vend dhe lidhjet telefonike në gjithë Jugosllavinë janë ndërprerë” Kosova gjendej në situatën më të rëndë të pas luftës.
Bilanci i dhunës shtetërore ndaj popullatës shqiptare diskutohej vetëm për rrethin e ngushtë të institucioneve të federatës jugosllave. Më 3 prill 1981, gjersa zhvilloheshin demonstratat e përgjakshme në qytetin e Vushtrrisë dhe Ferizajt, nënkryetari i qeverisë Nikolla Stavrev, në një mbledhje të mbyllur të Komitetit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të RSFJ-së, për politikë të brendshme, gjerësisht i njoftoi të pranishmit me gojë rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe për masat e ndërmarra nga shteti. Me 1 prill në përplasje me organet e punëve të brendshme janë lënduar rreth 20 persona, dy prej të cilëve rëndë, por nuk janë në gjendje të rrezikshme për jetën. Janë lënduar edhe 10 demonstrues.
Të pranishmëve nuk ua sqaroi vrasjen e shqiptarëve në mëngjesin e 2 prillit nga njësia speciale e federatës. Më 2 prill ranë dëshmorët e parë të pranverës 81, ranë në altarin e lirisë në kohën kur po mbahej mbledhja e imponuar e dy Kryesive të Kosovës, gjatë miratimit të planit Rubin 81. Plan i cili u propozua nga Këshilli për Siguri dhe Mbrojtje Kushtetuese dhe ishte miratuar nga Komanda e Lartë Ushtarake në Beograd.
(Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)