MASh-i jep çmimin vjetor “Shaban Jashari”
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimit “Shaban Jashari”, i cili i jepet mësimdhënësit të dalluar për kontribut në fushën e arsimit dhe edukimit.
Mësimdhënësja e Shkollës së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, Shemsije Zeqiri nga Mitrovica këtë vit është nderuar me këtë çmim në shenjë respekti për përkushtimin në punë.
Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, me këtë rast ka thënë se, është nderë i veçantë që të jetë në mesin e mësimdhënësve të dalluar për të shënuar festën e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
Zëvendësministri Rexhaj ka thënë se nuk mund të gjendet një grup tjetër njerëzish më i përshtatshëm se sa mësimdhënësit e dalluar, për të shënuar këtë festë të rëndësishme.
Ndër të tjera, ai tha se roli i mirëfilltë i mësimdhënësit në veçanti është kuptuar gjatë vitit të fundit dhe pas një viti të vështirë shkollor mund të thuhet se ja kemi dalë, përkundër sakrificave dhe vështirësive që kemi pasur.
Fituesja e çmimit “Shaban Jashari”, Shemsije Zeqiri, me këtë rast tha se, është e emocionuar pasi që ky është çmimi më i lartë për mësimdhënie.
Zeqiri tha se, do të vazhdojë punën me përkushtim të madh, ashtu siç ka punuar deri më tani.